Lajme

Kurti: Bandat të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë, pastaj zvogëlojmë policinë nëpër komuna

By GAZETA SCANNER 1

May 31, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, të kalojnë në zyra të tjera, jashtë objekteve komunale.

Një gjë e tillë është kërkesë e protestuesve serbë që i kundërshtojnë kryetarët shqiptarë, por edhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili thotë se ky veprim do t’i ulte tensionet.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti, duke iu referuar strukturave paralele serbe që veprojnë në veri të Kosovës që nga paslufta.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.

Kurti tha se është “i brengosur shumicën e kohës, por asnjëherë i frikësuar”.

Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje për situatën e krijuar i ka dy trajektore:

“E para të dalim nga kjo krizë në veri: që do të thotë sundim i ligjit, bandat ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe, të zvogëlojmë numrin e Policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, tha ai. /REL/