Në ditët e nxehta të verës, limonatat me fruta të freskëta janë më të mirat jo vetëm për të shuar etjen por edhe për të marrë ushqyesit e nevojshëm. Në recetën e mëposhtme, do të mësoni se si të përgatisni një limonatë të freskët e shumë të shijshme e cila përmban shumë probiotikë dhe përdoret si kurë për stomakun dhe imunitetin.
Përbërësit:
12 limonë
Gjysmë ose një filxhan çaji me sheqer ose tre lugë gjelle mjaltë
1 filxhan çaji me hirrë të freskët
Rreth 3 litra ujë
Përgatitja:
Merrni një tas me kos dhe hidheni në një napë të pastër pambuku. Lidhini cepat e napës me njëri tjetrin dhe vendoseni varur mbi një enë për të kulluar. Zakonisht amvisat shqiptare e varin në rubinetin e çezmës, duke vendosur poshtë në lavaman një enë për kullim. Lëreni kosin të kullojë për disa minuta aq sa të mbushni një gotë me hirrë të freskët.
Më pas, shtrydhni manualisht lëngun e 12 limonëve. Përzieni lëngun e tyre me hirrën në një kavanoz të madh qelqi. Shtoni gjysmën e filxhanit me sheqer ose mjaltin, sepse probiotikët në këtë limonatë kanë nevojë për ushqim. Më pas, mbusheni enën me ujin e ftohtë dhe përziejeni me lugë druri. Mbajeni enën në temperaturë ambienti për 2 ditë.
Kur ta pini limonatën rekomandon të shtoni pak më shumë sheqer ose mjaltë për ta ëmbëlsuar atë. Duke qenë se gjatë kësaj kohe probiotikët do të kenë konsumuar pjesën më të madhe të sheqerit, limonata do të jetë e athët. Kjo është arsyeja përse ka nevojë për një ëmbëlsim shtesë. Megjithatë, limonata me probiotikë është shumë e pasur me ushqyes për organizmin. Pini nga një gotë në ditë deri sa të mbarojë sasia. Mund ta përserisni çdo muaj.
Vlerat e probiotikëve
Probiotikët janë një lloj bakteri i mirë që jeton brenda sistemit tretës dhe mban të balancuar florën intestinale. Sipas të dhënave, ekuilibri i mikro organizmave prishet për arsye të caktuara, kryesisht falë stresit ose antibiotikëve. Në jetën e sotme, niveli i stresit që hasim çdo ditë është i lartë, ndërsa përdorimi i tepruar dhe abuzimi me antibiotikët është kthyer në fenomen.
Miliona njerëz janë të prekur nga një sërë problemesh me tretjen. Probiotikët barazpeshojnë nivelin e mikro organizmave në florën intestinale në mënyrë që sistemi gastrointestinal të tresë ushqimin siç duhet. Ato na mbrojnë nga patogjenët, pra nga mikroorganizmat e dëmshëm. Probiotikët detoksifikojnë organizmin nga përbërësit e dëmshëm. Ato prodhojnë vitamina dhe përbërës të tjerë dhe ekuilibrojnë sistemin tonë imunitar.