Lajme

Kur ministri i Punëve të Brendshme “bëhet xehetar”

By GAZETA SCANNER 1

August 29, 2024

Shkruan: Ferat Shala, deputet i PDK-së

Pas skandalit të ditëve më parë, ku Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla u pa duke ndërhyrë në punën e një ndërmarrje publike, ku publikisht kërkonte llogari nga minatorët për dështimet që vetëm të minatorëve nuk janë, i njëjti sot me pompozitet pretendon se ka adresuar kërkesat e kësaj ndërmarrje me një Udhëzim Administrativ i cili vetëm kërkesat e Trepçës nuk i adreson.

Krejt kjo për qëllime elektorale dhe me synim që të sanoj dëmet apo më mire të themi të arrij një kërkim falje të munguar.

Udhëzimi Administrativ i nënshkruar nga Ministri i MPB-së është i kundërligjshëm dhe në mënyrë arbitrare cenon kompetencat e një Institucioni të Pavarur Kushtetues që është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Udhëzimi Administrativ (MPB) Nr. 06/2024 për Edukimin, Kriteret e Kualifikimit Profesional dhe Programet për Trajnime Profesionale është i kundërligjshëm dhe në kundërshtim me nenin 11 paragrafin 8 të Ligji Nr. 04/L-022 për Përdorim Civil të Eksplozivëve i cili përcakton se: “Leja e lëshuar nga ministria për përdorim të eksplozivëve sipas këtij ligji nuk e përfshinë lejen për minim për përdorim në miniera dhe gurore e cila është përgjegjësi e KPMM-së, sipas Ligjit për Miniera dhe Minerale”.

Udhëzimi Administrativ (MPB) Nr. 06/2024 ka shfuqizuar Udhëzimi Administrativ (MPB) Nr. 08/2013 për Edukimin, Kriteret e Kualifikimit Profesional dhe Programet për Trajnime Profesionale, i cili në nenin 1 që rregullon Qëllimin e UA, kishte përcaktuar se: “Ky Udhëzim Administrativ nuk mbulon kualifikimet e shpërthyesve industrial apo persona të tjerë të kualifikuar në fushën e përdorimit të eksplozivëve për qëllime të minierave, e cila është përgjegjësi e KPMM-së”.

Udhëzimi Administrativ paraprak në këtë aspekt në pajtim me Ligji Nr. 04/L-022 për Përdorim Civil të Eksplozivëve kishte përcaktuar se kjo përgjegjësi i takonte KPMM-së.

Në esencë MPB dhe Ministri Sveçla pretendon se ka adresuar kërkesat e Trepçës me një paragraf të fshirë të Udhëzimit Administrativ në kohë rekorde.

Kjo qasje e Qeverisë tregon jo seriozitetin dhe mungesën e dijenisë si në aspektin ligjor ashtu edhe profesional, dhe paraqet një tendencë të qartë për cenimin e kompetencave të organeve profesionale dhe të pavarura siç është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale krejt kjo në llogari të sektorit të minierave.

Për më tepër nëse ky Udhëzim Administrativ zbatohet i njëjti paraqet rrezik në aspektin e sigurisë sepse i njëjti përcakton se provimi profesional mbahet nga një komision i brendshëm i MPB-së të cilët nuk janë profesionist të fushës së Xehetarisë kjo kompetencë do duhej ti takonte vetëm Inxhinierëve të Xehtarisë me përvojë në ketë lëmi.

Kjo ndodh kur Ministri i Brendshëm orvatet të bëhet edhe xehetar, e kur Bordi i KPMM-së me apo pa vetëdije humb kompetencat e KPMM-së dhe pranon ta shkelë ligjin!