Nuk ka një moshë ideale për të kryer vizita gjinekologjike periodike. Në mungesë të shqetësimeve specifike, vizita e parë mund të ndodhë edhe pas mestruacioneve të para, edhe pse nuk është një domosdoshmëri reale. Por kjo është një mënyrë për t’u edukuar dhe sensibilizuar mbi rëndësinë e shëndetit riprodhues.
Gjithsesi duhet theksuar se mosha për të kryer vizitën e parë, gjerësisht e rekomanduar rreth të 15-ave, mund të zbresë në 12 vjeç në rast të një zhvillimi të hershëm fizik. Nëse vajzës në moshën 14-vjeçare nuk i ka ardhur cikli, ky është momenti për të kuptuar shkaqet.
Në këtë moshë vizita gjinekologjike është e rëndësishme jo vetëm për të njohur trupin, por edhe për të parandaluar problemet e natyrës inflamatore që shumë shpesh prekin adoleshentet. Te kjo moshë, imuniteti në zonën gjenitale, është më i ulët në krahasim me moshën e pjekur, për shkak të alergjive nga detergjentët intimë dhe ndryshimit të pH të zonës vaginale.
Nëse është i nevojshëm ekzaminimi vaginal apo ai i qafës së mitrës, nuk duhet të trembeni, sepse instrumentet që përdoren për këtë moshë nuk janë aspak traumatike.
Nuk duhet të ndjeni ndrojtje nga konsultat te gjinekologu. Të ndjekësh këshillat e mjekut si dhe të krijosh një marrëdhënie besimi me të do të thotë se tashmë ti je një e rritur e cila kërkon që të ketë një trup të shëndetshëm. Gjithashtu në këtë stad zhvillimi prindërit duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin shëndetësor të fëmijëve të tyre. (spitaliamerikan.com)