Sport

Kumbulla i thotë po Romës, në orën 16:35 mbrrin në kryeqytetin italian për firmën!

Marash Kumbulla i thotë po Romës. Mbyllet kështu një nga “telenovelat” më të gjata të kësaj vere, me mbrojtësin shqiptar që zgjodhi verdhekuqtë. Roma fitoi konkurencën e Interit dhe Lazios por edhe të Juventusit dhe Napolit pasi pothuajse të gjitha klubet e mëdha në Itali treguan interes për mbrojtësin shqiptar që spikati në sezonin e fundit me Hellas Veronën. Pavarsisht bisedimeve të shumta mes drejtuesve të Veronës dhe atyre të Interit e Lazios, presidenti Setti nuk priti më dhe pranoi ofertën e klubit kryeqytetas me Romën që i paraqiti një marrëveshje për huazimin 1-vjeçar të 20-vjeçarit me detyrim blerjeje sezonin e ardhshëm për shumën e 30 milionë eurove.  Pasi diskutoi me agjentin e tij, Kumbulla i ktheu përgjigje pozitive Romës mbrëmjen e të martës, duke u transferuar përfundimisht në kryeqytetin italian, aty ku pritet të zbarkojë sot në orën 16:35, ndërsa do të firmosë edhe kontratën 5-vjeçare me klubin e drejtuar nga Fonseca me të cilët do të përfitojë 1,5 milionë euro në sezon plus bonuset.