Lajme

Kthimi në institucione, KPK: Nuk kemi pranuar kërkesa nga prokurorët serbë për t’u kthyer në punë

By GAZETA SCANNER 1

September 19, 2024

Në nëntor të vitit 2022 serbët lëshuan institucionet e Kosovës. Riintegrimi i tyre është riaktualizuar së fundmi pas kërkesës së Vuçiqit. Përderisa në komuna e kuvend karriget boshe të tyre u zëvendësuan, në Prokurori, Gjykata e Polici jo. Nga KGjK kanë thënë se çështja e kthimit të gjyqtarëve do shqyrtohet në kohën e duhur, ndërsa nga KPK thanë se ende nuk kanë pranuar kërkesa nga prokurorët serbë që të kthehen në detyrë. Express është në pritje edhe të përgjigjes së Policisë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët serbë për kthim në detyrë.

“Ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga prokurorët e komunitetit serb për kthimin e tyre në sistemin prokurorial, andaj dorëheqjet e tyre nuk janë trajtuar akoma nga KPK-ja dhe në momentin që trajtohen ato do t’ju njoftojmë me kohë.”

Ndërkaq, dje nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës thanë se kjo çështje do të shqyrtohet në momentin që KGJK vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), njofton të gjitha mediat dhe të interesuarit se mbetet pranë qëndrimit të mëhershëm të deklaruar se çështja e dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe të administratës së Komunitetit Serb, do të shqyrtohet në momentin që KGJK e vlerëson se është koha e duhur dhe sipas procedurës së përcaktuar për situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e KGJK’së për Express.

Serbët në nëntor të vitit 2022 hoqën dorë nga institucionet e Kosovës në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë për targat. Në kuvend e komuna ata u zëvendësuan, mirëpo jo edhe në Gjykata, Prokurori e Polici.

Para një jave, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me disa kërkesa, përfshirë edhe kthimin e serbëve në institucione.

Thirrja e Vuçiqit për riintegrimin e serbëve në institucione u mirëprit nga Bashkimi Evropian.

“Ne e mirëpresim gatishmërinë e shprehur nga presidenti Vuçiq për të vazhduar angazhimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pozitivisht e marrim edhe thirrjen e tij për serbët e Kosovës, që të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe të riintegrohen në të gjitha institucionet e Kosovës, nga të cilat janë larguar në vitin 2022”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për REL.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën tha se kërkesa e Vuçiqit për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës nuk është e sinqertë. Sipas saj, ajo është retorikë për ta hequr vëmendjen nga përpjekjet e Serbisë për destabilizim.

Osmani shtoi se Kosova është e interesuar që serbët të jenë në institucione ashtu siç u takon me Kushtetutë.

“Ne jemi të interesuar që serbët të jenë në institucione, gjë që ju takon edhe me Kushtetutë edhe me pako të Ahtisarit. Kosova është multietnike jo përse thotë Vuçiqi, por që u takon me Kushtetutë. Në asnjë moment nuk besoj që Vuçiqi e ka atë qëllim. Ai duket ser po punon vetëm në destabilizim të rajonit dhe kthim në vitet e 90-ta”, tha Osmani.

Të martën pas takimit në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi foli para gazetarëve, ku u pyet edhe për “masat” e Vuçiqit. Ai tha se është brengosëse për të se deklaratat e Vuçiqit nuk kanë hasur në reagim të ashpër nga Komisioni Evropian dhe Bashkimi Evropian.

“Fillimisht takimi i sotëm është ftuar para deklarimit të zotit Vuçiq. Zoti Vuçiq është shumë gjeneroz me deklarata, pothuajse çdo ditë e gjen nëpër televizione. Ajo që për mua ka qenë brengosëse, jo përmbajtja, raportimi apo konstatimet, por fakti që këto konstatime të tij nuk kanë hasur në brengë apo reagim të ashpër nga Komisioni Evropian apo nga Bashkimi Evropian, por ajo që është zgjedhur është që nga një fjalim 40 apo 50 minutash të zgjidhen dy minuta që mund të interpretohen pozitivisht dhe i gjithë reagimi është marrë me ato dy minuta e jo me përmbajtjen shumë të rrezikshme të këtij adresimi.”

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha para gazetarëve se një veprim i tillë do të ishte antikushtetues, ndërsa ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se Vuçiq, me kërkesat e tij, synon të vazhdojë “instrumentalizimin e serbëve” të Kosovës.

Ndërkaq sa i përket kërkesës së Vuçiqit për zgjedhje të parakohshme në Veri, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se ato mund të mbahen gjatë muajit prill ose tetor të vitit 2025.

“Që të jemi të qartë, zgjedhjet në katër komunat veriore mund të mbahen gjatë muajit prill të vitit 2025 por meqenëse kalendari për zgjedhjet lokale është i caktuar për muajin tetor të po këtij, viti atëherë nuk shoh mundësi që zgjedhjet në këto komuna të mbahen në muajin prill. Këtë e mundëson udhëzimi administrativ i Qeverisë”, ka thënë Krasniqi për mediumin “Arbëria”. /GazetaExpress/