Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu thotë se në takimet e sotme të zhvilluara ndaras të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me liderët e BE-së janë diskutuar katër drafte të Asociacionit.
Kryeziu bën të ditur se në bazë të informacione që ka, themelimi i Asociacionit duhet të përfundojë deri më 15 dhjetor.
“Tash sot që është diskutuar këtu janë katër drafte. Katër drafte të Asociacionit. Njëri prej drafteve është drafti të cilën kanë qenë kompetent me bë përfaqësuesit serbë…janë disa drafte, se ka bukur shumë drafte, disa drafte janë të disa shtetve tona mike dhe tash këto janë kombinuar, dhe ka dalë vetëm një draft i kombinuar me kompromise…dhe sot në bazë të informacioneve që kam… të dy janë zotuar edhe njëherë…sot është krijuar dinamika e zbatimit. Dinamika e zbatimit, sa kam unë informacione, duhet të kryhet deri më 15 dhjetor…të themelohet (Asociacioni) deri më 15 dhjetor”, deklaroi ai në Tëvë 1.
Përmes një komunikate, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se kryeministri Kurti ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e nenit 7, në ndërlidhje të nenit 10.
Teksa është thënë se Vuçiqi ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore “me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”.
Në anën tjetër, pas takimit, Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do ta nënshkruajë asnjë marrëveshje që nënkupton njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.