Lajme

Kryeziu: Draft-statuti i Asociacionit duhet të miratohet në Qeveri e pastaj të dërgohet në Kushtetuese

By GAZETA SCANNER 1

March 01, 2024

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se draft-statuti i Asociacionit nuk mund të dërgohet në Kushtetuese pa u miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se dokumenti në fjalë nuk mund të shqyrtohet pa u bërë akt i Qeverisë së Kosovës.

“Draft-statuti duhet të kalojë në Qeveri, të bëhet vendim dhe pastaj të dekretohet nga kryeministri. Më pas, si dokument i vlefshëm, i paraqitet Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese nuk ka autoritet dhe të drejtë të vendosë, nëse nuk i drejtohen me kërkesë”, ka thënë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka bërë me dije Kosova Asociacionin e ka marrë si obligim ndërkombëtar dhe atë duhet ta zbatojë.

“Kur them obligim kombëtar, e them për faktin se ajo marrëveshje [për Asociacionin] ka kaluar në Kuvend dhe është ligj. Të gjitha ligjet që miratohen në Kuvend, Qeveria duhet t’i zbatojë, në mënyrë që ky të jetë një shtet ligjor”, është shprehur Kryeziu.