Lajme

Kryetarja e Preshevës e pret në takim zyrtarin e Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd

By GAZETA SCANNER

September 27, 2024

Kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, ka pritur në takim zyrtarin e Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari.

“Mirë se erdhe Ambasador i Republikës së Kosovës! Sot pata kënaqësinë e veçantë, së bashku me zv. Kryetarin e Komunës z.Ragmi Mustafën, drejtorët, anëtarët e Këshillit Komunal dhe asambleistët nga Kuvendi i Preshevës, ta mirëpresim vëllain tonë, Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, z. Jetish Jashari!”, shkroi ajo.

“Me ndjenjat më të thella të vëllazërisë dhe solidaritetit kombëtar, urova mirëseardhje të përzemërt në Preshevë, në këtë tokë shqiptare që gjithmonë ka ruajtur me krenari identitetin dhe shpirtin e bashkimit kombëtar. Çdo vizitë nga Kosova mbart një rëndësi të veçantë për banorët e Preshevës, sepse përfaqëson jo vetëm lidhjen tonë të pashkëputshme, por edhe shton forcën dhe motivimin e popullit tonë për të vazhduar të jetojë e punojë në këtë vend, duke ruajtur rrënjët dhe trashëgiminë tonë të përbashkët”.

Sinani tha se takimi mes tyre ishte një mundësi e rëndësishme për të diskutuar sfidat që prekin qytetarët atje.

“Pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave nga Kosova, dhe tani sfida e re me shërbimin e detyrueshëm ushtarak në ushtrinë e Serbisë, janë faktorë që po i shtyjnë të rinjtë tanë drejt emigrimit. Këto probleme janë barrë e madhe për familjet tona dhe për të ardhmen e Luginës”.

“Një falënderim i veçantë shkon për mbështetjen në subvencionet për bujqësinë dhe përpjekjet që bëhen për Këshillin Kombëtar Shqiptar, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e identitetit tonë. Faleminderit, Ambasador, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës!”.