Lajme

Kryetari i OVL-UÇPMB në Bujanoc: Shqiptarët e Luginës s’pranojnë të bëhen ushtarë të Serbisë

By GAZETA SCANNER 1

January 16, 2024

Bejtullah Bejtullahu, kryetar i OVL në Bujanoc, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të bojkotojnë thirrjen për shërbim të detyrueshëm ushtarak në Serbi.

Në Info Magazine, ai tha se në të kaluarën, djemtë shqiptarë që kanë shkuar në ushtrinë serbe, janë kthyer në arkivole.

“E dimë shumë mirë se në të kaluarën, nënat që i kanë rritur djemtë dhe i kanë nisur në atë ushtri, i kanë pritur në arkivole. Prandaj, nuk besoj që në këtë kohë ka nëna që e rrit fëmijën e vet dhe e pret në arkivol”, tha ai.

Bejtullahu tha se në fillim të viteve 2000, ata e kanë luftuar regjimin serb, dhe shton se ai nuk ka ndryshuar dhe nuk i besojnë “prandaj nuk do t’i përgjigjemi kësaj thirrjeje”.

Ai pret se do të ketë presion të madh nga Serbia ndaj shqiptarëve të Luginës, por thekson se Serbia nuk i ka përmbushur asnjëherë obligimet që kanë dalë nga Marrëveshja e Konçulit e vitit 2001.

“Do të ketë trysni më të madhe ndaj shqiptarëve. Me Marrëveshjen e Konçulit 2001, është paraparë që shqiptarët e Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë), të integrohen në institucionet shtetërore të Serbisë. Kjo e fundit nuk ka treguar në këtë drejtim vullnet që t’i integrojë shqiptarët. Policia multietnike është themeluar më 2001-2002, dhe që nga atëherë nuk ka pranuar asnjë më. Ne po rrezikohemi të mbesim edhe pa policinë multietnike. Nuk jemi askund të inkuadruar në institucione shtetërore, e lëre më në ushtrinë që fare nuk na nevojitet. E di që do të ketë presion, do ta përdorë Serbia këtë mekanizëm për të na ndëshkuar, por ne do të jemi këtu. Në çfarëdo forme, nuk largohemi nga këtu. Nuk do të lëvizim nga pragu i shtëpisë sonë”, u shpreh Bejtullahu.

Tutje, ai kërkoi ndihmën edhe të Shqipërisë edhe të Kosovës, duke thënë se deri më tani dy vendet nuk kanë pasur një politikë të mirëfilltë për Luginën.

“Për neve si OVL, çdo integrim drejt Beogradit është e dëmshme për neve. Rruga jonë është Tirana, është Prishtina”, përfundoi Bejtullah Bejtullahu, kryetar i OVL në Bujanoc.