Ekonomi

Kryetari i Odes Ekonomike: Dëmet e shkaktuara prej masave të BE-së janë afro 300 milionë

By GAZETA SCANNER 1

March 09, 2024

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka thënë se mungesa e investimeve të huaja e ka dëmtuar tej mase Kosovën, ndërsa dëm po aq të madh, sipas tij, po i sjellin edhe tensionet në veri.

Rafuna tha se tensionet në veri të vendit e dëmtojnë imazhin e Kosovës në sytë e investitorëve potencialë, teksa kërkoi më shumë angazhim në përmbyllje të dialogut me Serbinë.

“Tek pjesa investimeve kemi nevojë shumë, është e vërtetë që nuk qëndrojmë mirë, sidomos me miq shumë kualitativë, në kuptimin që me sjellë prodhues, me sjell brende që janë të njohura jo vetëm në Evropë po edhe më gjerë. Pra brende që janë të njohura botërisht, të cilat neve nuk kishin me na sjellë vetëm të mira materiale në kuptimin e makinerisë por do të na kishin sjellë edhe njohuri domethënë në kohën e njëjtë do të na kishin shërbyer edhe për të mirë për ta ndryshuar imazhin e Kosovës dhe për të përçuar një mesazh edhe të investitorë të tjerë që Kosova është një vend stabil”, tha Rafuna.

Ai foli edhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që i ka vendosur ndaj Kosovës, ku tha se dëmet janë rreth 300 milionë euro, e që sipas tij, po vazhdojnë të rriten, teksa i kërkoi qeverisë që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të saja që këto masa të hiqen.

“Kërkesa jonë është edhe ndaj institucioneve këtë rast Qeverisë së Republikës së Kosovës, që këto masa të largohen sa më shpejtë, kërkesa jonë orientohet te qeveria që të bëjë gjithçka brenda kapaciteteve të tyre, që të i plotësojnë kushtet që kërkohen në mënyrë që të largohen sa më shpejt këto masa se jo vetëm që po ndikojnë që ne mos me thith burime, mos me thith projekte, projekte që deri më tani sipas informatave që i kemi sillen rreth 300 milionë, mirëpo kjo shkon duke u rritur për arsye se çdo muaj vinë projekte të reja që ne nuk mund t’i marrim se nuk mund të implementojmë për shkak të masave që janë vendos”, tha Rafuna për EkonomiaOnline.

Rafuna tha se tensionet që ndodhën viteve të fundit në veri të Kosovës, i sheh si të dëmshme për investitorë të huaj, pasi sipas tij, në mediet ndërkombëtare, Kosova paraqitet si shtet jostabil dhe me tensione.

“Tensionet që ndodhin në Kosovë pa dyshim që nuk janë një mesazh i mirë për investitorët e huaj. Dihet që mediet botërore thuajse hiç ose rrallë shumë japin lajme të mira ose mesazhe që Kosova është një vend me një rini shumë të mirë ose që Kosova ka një potencial të mirë për të thithë investime të huaja”.

“Por zakonisht ato i paraqesin fotografitë kur ka tensione, kur mbyllet një rrugë ose siç e kishim rastin e  sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it nga ana e ekstremistëve serb në pjesën veriore dhe një investitor i huaj, një qytetar i huaj, ai nuk e dinë siç është gjendja çfarë lloj incidentesh janë ato dhe kështu që njëfarë forme sikur hezitojnë me ardhë me investua në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa dëmet e shkaktuara prej masave të Bashkimi Evropian, kapin shifrën e 300 milionë euro. Kjo shumë, thotë Rafuna shkon duke u rritur përditë.  Për këtë ai kërkon koordinim nga institucionet kosovare me ato ndërkombëtare.