Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazin, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka treguar se për katër mandate sa ka si kryetar, nuk ka ndodhur asnjëherë që marrëdhëniet qeveri-komunë të zbehen deri në këtë masë.
Ai tregon se si në një takim të përbashkët me kryetarët e tjerë me kryeministrin, ky i fundit u ka premtuar bashkëpunim por deri tash thotë se nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas tij, marrëdhëniet jashtëzakonisht të ftohta me qeverinë e pamundësojnë realizimin e objektivave të përbashkëta qeveri-komunë, e që janë përmirësimi i kushteve të jetesës së qytetarëve.
Kryetari i Kaçanikut ka treguar edhe faktin se janë mbi 30 projekte kapitale që kjo komunë ka dorëzuar në qeveri dhe asnjëri nga to nuk është përkrahur.
Kjo sipas tij nuk ka ndodhur kurrë më parë në katër mandatet e tij si kryetar.
“Unë jam në vitin e tretë të kësaj qeveria që Komuna e Kaçanikut nuk ka përfituar asnjë projekt të ri, asnjë cent nga ministritë e linjës përkundër shumë kërkesave që kemi bërë në kohën kur duhet bërë ato, me e keqja është që as përgjigjeje nuk kemi marr kurrë nga qeveria. Kërkesat janë, projektet janë në ministritë përkatëse por që tri vjet as projekte e as përgjigjeje nuk kemi marr nga qeveria”, ka thënë mes tjerash i pari i Kaçanikut, Besim Ilazi.
Përveç kësaj sipas tij edhe projektet që kanë nisur para se të vij kjo qeveri janë bllokuar dhe nuk kanë përfunduar që e bënë më të keqe gjendjen në Kaçanik.