Kryeprokurori i GjPN-së kundër krijimit të gjykatës speciale për krimet në Ukrainë

Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN) kundërshtoi një propozim të Bashkimit Evropian për të krijuar një gjykatë speciale, të mbështetur nga OKB-ja, për të ndjekur penalisht krimet në Ukrainë. Ai tha se GJPN-ja është e aftë që të trajtojë në mënyrë efektive krimet e kryera atje.

Kryeprokurori Karim Khan kundërshtoi planin për të cilin presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi javën e kaluar. Zyrtarja evropiane tha se duhet të krijohet një gjykatë speciale për të ndjekur penalisht pushtimin rus të Ukrainës.

“BE-ja e ka keqinterpretuar ligjin”, u tha Khan gazetarëve, teksa shtoi se institucioni ku ai punon është i aftë që të ndjekë penalisht figura të larta politike.

Gjykata Penale Ndërkombëtare, me seli në Hagë, ka nisur një hetim lidhur me krimet e luftës në Ukrainë, por ky institucion nuk mund të ndjekë penalisht krimin e agresionit – akti i pushtimit të një shteti tjetër – sepse Federata Ruse nuk është nënshkruese e Statutit të Romës, një traktat që ka krijuar këtë gjykatë.

Në njoftimin e saj, von der Leyen tha se është thelbësore që të merret miratimi nga Kombet e Bashkuara, në mënyrë që të shmangen problemet e imunitetit. Krerët shtetërorë, sikurse ai rus Vladimir Putin, në përgjithësi konsiderohen se janë imunë nga ndjekja penale për aq kohë sa janë në pozita shtetërore.

Von der Leyen tha se BE-ja do të punonte me partnerët ndërkombëtarë “për të marrë mbështetje sa më të madhe ndërkombëtare” për tribunalin, dhe po ashtu do të vazhdojë mbështetjen për GJPN-në.

Khan e pranoi se GJPN-ja nuk mund të ndjekë penalisht Putinin për krim të agresionit, por figurat e nivelit të lartë mund të ndiqen penalisht për krime lufte apo gjenocid.

“Ne duhet të shmangim fragmentimin dhe në vend të kësaj të përqendrohemi në punën e konsolidimit”, tha Khan gjatë adresimit para një trupi mbikëqyrës të gjykatës.

Që kur Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat e tij ushtarake janë akuzuar për shkelje, duke filluar nga vrasjet në Buça e deri te sulmet vdekjeprurëse ndaj ndërtesave civile, përfshirë edhe bombardimin e teatrit në Mariupol më 16 mars, sulm në të cilin, sipas një hulumtimi të Associated Press, janë vrarë afër 600 persona. /REL/