Ballina

Kryeministri Kurti vazhdon darkat e “punës” në Garden – tani me partnerë të koalicionit dhe komunitetet

By GAZETA SCANNER

May 21, 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, takuan për darkë pune zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi, ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kryetarin e Grupit Parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetarin e Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët, Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, temë e darkës ishte “agjenda legjislative dhe rëndësia e dinamikës së miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë”.

“Kryeministri Albin Kurti informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve joshumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete”, thuhet në njoftimin për medie.