Lajmest-slider

Kryediplomati i Shqipërisë e krahason Vuçiqin me Gebelsin

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj, ka reaguar me deklaratat e zyrtarëve serbë se masakra e Reçakut në Kosovë ishte një fabrikim dhe gënjeshtër.

Cakaj për këtë e ka krahasuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq me ish-ministrin e Propagandës në Gjermaninë naziste, Paul Joseph Goebbels.

Ai duke thënë se kjo deklaratë është skandaloze, ka kërkuar nga akterët ndërkombëtarë që të dënojnë këto përbuzje që janë duke iu bërë viktimave të masakrës së Reçakut.

“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviqit tash është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze! Akterët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë!”, ka shkruar Cakaj në llogarinë e vet në “Twitter”.

Deklaratat e përfaqësuesve serbë kanë ardhur pas shqiptimit të dënimit të ish-ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal në qeverinë e kaluar, Ivan Todosijeviq, për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Dje presidenti Aleksandër Vuçiq ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur në Reçak ishte “një krim i trilluar” duke pyetur nëse edhe ai do të dënohej për këtë deklaratë.

Paul Joseph Goebbels ishte një politikan gjerman nazist dhe ministër i Rajhut të Propagandës së Gjermanisë naziste nga viti 1933 deri në 1945. Ai ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe më të devotshëm të Adolf Hitlerit dhe ishte i njohur për aftësitë e tij e të folurit në publik dhe antisemitizmin e tij thellësisht virulent, që ishte i dukshëm në pikëpamjet e tij të shprehura publikisht.