Botë

Krimea porosit Serbinë: Mos zhagitni njohjen

Serbia nuk duhet ta zhagis njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë, tha kreu i të ashtuquajturit Komitet i Parlamentit të Krimesë për Diplomacinë Kombëtare dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Sipas Juri Gempel, njohja e Krimesë si pjesë e Federatës Ruse do të hapte këndvështrime të reja në zhvillimin e marrëdhënieve ruso-serbe ndërsa shtoi se Serbia ka një shans për të hyrë në histori si vendi i parë evropian që merr rrugën e drejtë dhe pranon vullnetin e banorëve të Krimesë.

 “Serbia nuk duhet ta vonojë këtë çështje”, theksoi ai.

Gempel, i cili po qëndron në Serbi si pjesë e delegacionit të Krimesë, është takuar me autoritetet serbe.

Krimea u bë rajon rus pas aneksimit nga Rusia në vitin 2014. Atëbotë, trupa ruse të maskuara pushtuan bazat ushtarake në gadishull, të ndihmuara nga dezertimi i një pjese të ushtrisë ukrainase, sikurse ai i dezertimit të admiralit të marinës ukrainase, Denis Berezovski.

Në një referendum të mbajtur atë vit, rezultatet e të cilit nuk i njeh askush, përveç Rusisë, 96.77 përqind e votuesve të Krimesë dhe 95.6 përqind e banorëve të Sevastopolit votuan në favor të bashkimit me Rusinë. Një tentim të tillë Rusia e bëri edhe me regjionet në lindje të Ukrainës, me ndihmën e banorëve lokal, por pa sukses.

Megjithatë, Ukraina dhe pjesa tjetër e botës e konsideron gadishullin si territor të pushtuar përkohësisht.