Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka pritur në takim Ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard, ekipin e tij dhe ambasadorin danez që mbulon Kosovën, Christian Gronbech-Jensen. Kryetari Krasniqi shprehu qëndrimin që PDK kërkon sa më parë zgjedhje të reja të parakohshme dhe se aktualisht nuk merr pjesë në votimin e pikave në Kuvend të cilat sillen nga ana e Qeverisë, përfshirë edhe Marrëveshjet Ndërkombëtare.
Postimi i plotë:
Sot, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, pata kënaqësinë të pres Ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard, ekipin e tij dhe ambasadorin danez që mbulon Kosovën, Christian Gronbech-Jensen.
Ministrin Hummelgaard e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, që nga strehimi i refugjatëve kosovarë gjatë luftës, njohja e pavarësisë, si një ndër shtetet e para, e deri te kontributi për paqe dhe stabilitet, si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë.
Delegacionin e lartë nga Danimarka e njoftova për zhvillimet e fundit në Kosovë, sfidat dhe rreziqet me të cilat po ballafaqohet vendi, si dhe qëndrimet e PDK-së në lidhje me to. Mysafirëve ua shpreha qëndrimin që Partia Demokratike e Kosovës kërkon sa më parë zgjedhje të reja të parakohshme dhe se aktualisht nuk merr pjesë në votimin e pikave në Kuvend të cilat sillen nga ana e Qeverisë, përfshirë edhe Marrëveshjet Ndërkombëtare.
Në fund, Ministrin Hummelgaard e falënderova për vizitën e tij dhe diskutimin e hapur që patëm.
https://www.facebook.com/share/p/A2VH98zGvLxpZKTP/?mibextid=2JQ9oc