Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka thënë se aksionet e Qeverisë në veri të vendit, kanë krijuar një mendim te ndërkombëtarët se “qytetarët serbë janë në hall të madh”.
Duke folur për“EO”, Krasniqi është shprehur se vizita e ndihmës sekretarit James O’Brien lidhet me mundësine e deeskalimit të situatës në vend.
“Çështja e Kosovës nuk është çështje e sotme, në të vërtetë ka marrë një rrugë zgjidhjeje me marrëveshjen ushtarake teknike të NATO-s me Jugosllavinë në qershor të 99-ës me rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, pastaj edhe me proklamimin e Pavarësisë, pastaj edhe më një opinion të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por çështja e Kosovës nuk është e mbyllur ende për shkak se Kosova nuk është pranuar në OKB, nuk është e pranuar as në NATO e BE e kështu me radhë, prandaj edhe vizita e O’brain edhe e të tjerëve gjithmonë konsiston së paku në deeskalimin e situatës në krijimin e kushteve për të vazhduar dialogun dhe pastaj për t’i zbatuar ato marrëveshjet që janë arritur. Në këtë kontekst sigurisht Kosova ka pjesën e vet të përgjegjësive sepse e ka pranuar edhe planin franko-gjerman edhe aneksin e Ohrit, por në të njëjtën kohë nuk po zbatohen.” – citohet se ka thënë ai.
Veprimet e Qeverisë në veri, ai i ka cilësuar si “filma”, duke u shprehur se kjo ka shtyrë partnerët ndërkombëtarë të kërkojnë më shumë të drejta për serbët atje, për t’u mbrojtur “gjoja nga zullumi”.
“Kosova dhe Serbia kanë obligime me këto marrëveshje në raport me Bashkimin Evropian i cili e kushtëzon integrimin edhe anëtarësimin e tyre në zbatimin e këtyre marrëveshjeve, prandaj nuk është më çështje kujt i bëhet presion, çështja do duhej të ishte që Kosova te ngutet t’i kryej obligimet ndërkombëtare për ta hapur rrugën e vet të anëtarësimit me Bashkimin Evropian dhe në NATO, pa i kryer këto marrëveshje është e sigurt që nuk mund të pranohemi në Këshill të Evropës, nuk mund të futemi në partneritetin për Paqe, nuk mund të avancojmë, nuk mund të fitojmë statusin e shtetit kandidat, pra interesat i Kosovës në këtë rast është t’i zbatojë marrëveshjet që i ka marrë përsipër dhe jo t’i bllokojë, dhe jo të bëj filma me njësi policore atje sepse duke bërë kësi lloj filmash është krijuar perceptimi që Kosova po u bën zullum serbëve dhe për shkak të kësaj, mandej komuniteti ndërkombëtar po kërkon më shumë të drejta për serbët për t’u mbrojt gjoja nga zullumi i Qeverisë së Prishtinës pra është një konfuzion”.