Ballina

Krasniqi për zgjedhjet e parakohshme: PDK është gati, i gjithë vendi është gati

By GAZETA SCANNER 1

May 13, 2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, i cili është i vetmi lider i partisë nga opozita që pranoi ftesën e Kurtit për “një darkë pune”, ka shkruar edhe në Facebook për takimin me Kryeministrin.

Krasniqi ndër të tjera ka shkruar se “Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!”.

Ai tutje ka shtuar se pret nga partitë e tjera të bashkohen në këtë nismë, për zgjedhje të reja.

Postimi i plotë:

Sonte i jam përgjigjur kërkesës së kryeministrit Kurti për takim. Si PDK, duke respektuar gjithmonë trashëgiminë tonë politike, për interesin e shtetit dhe zhvillimin e tij, do të jemi gjithmonë të gatshëm të takohemi dhe të bisedojmë kurdo dhe me këdo.

Kosova është në agoni! Neve na shqetëson shumë fakti që ka shumë bashkëqytetarë që e kanë të vështirë ta lidhin muajin me muaj. Çmimet janë rritur shumë, pagat kanë mbetur të njëjta dhe familjet kosovare po përballen me vështirësi të ndryshme. Në anën tjetër, qeveria nuk po bën sa duhet për ta.

Mbi këtë premisë, konsideroj se duhet të mblidhemi sa më parë të gjithë liderët e partive politike parlamentare dhe, me konsensus të përbashkët e pa protagonizëm individual, të vendosim për datën e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për shpërndarjen e kësaj legjislature të paralizuar.

Uroj që edhe partitë e tjera të mbështesin një nismë për shpërndarjen e Kuvendit. Stagnimi i theksuar i shtetit, posaçërisht në ekonomi, por edhe në rrafshin ndërkombëtar, nuk mund të presë më shumë.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë më një dëshirë politike – por një domosdoshmëri nacionale. PDK është gati! I gjithë vendi është gati!