Lajme

Krasniqi numëron skandalet e qeverisë Kurti: Vëlla e motër me njeriun në listën e zezë të ShBA-së

By GAZETA SCANNER 1

October 18, 2024

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në emisionin “Paradoks” me Vehbi Kajtazin ka numëruar skandalet e pushtetit të prirë nga Albin Kurti.

Krasniqi ka thënë se dy javët e fundit kanë qenë të jashtëzakonshme.

“Skandalet e kësaj qeverie kanë filluar qysh në ditët e para, por vëmendja atëherë ka qenë më e vogël, tash është më e madhe dhe puna e mediave po e nxjerr zhveshur këtë qeveri. E ka degraduar Kosovën dhe e ka degraduar qeverisjen si të tillë si kurrë më parë”, ka thënë Krasniqi për qeverisjen e Albin Kurtit.

Ai ka shtuar se numri i skandaleve të Kurtit është shumë i madh, duke filluar me koordinimin me Milan Radoiçiq.

“Ku të fillojmë, prej koordinimit me Radoiçiqin për ligje sistemike siç është ligji i pagës minimale është përtej skandaleve. Aq më shumë kur me këtë ligj kanë përjashtuar veteranët e UÇK-së nga barazia që ish dashur të kishin tek paga minimale aq më shumë që kjo ka ndodhur pasi që Radoiçiq ka qenë në listën e zezë të SHBA-së, që i bie shkelje e kushteve të sanksioneve të SHBA-së sepse thuhet se kushdo që bashkëpunon me ta i shkel këto kushte, e deri tek afërsia e tmerrshme e terminologjisë vëlla e motër me njeriun që është në listën e zezë”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi me Radoiçiqin ka filluar që prej zgjedhjes së presidentes Vjosa Osmani.

“Është mundu me u arsyetu në zgjedhjen e presidentes që kinse nuk ka qenë në listën e zezë. Apo të flasim për faktin se këta njerëz në mënyrën më të paskrupullt e marrin një borxh prej 15 milionë eurove me dy komisione dhe pastaj avullohen, pastaj e kem një zyrtar që kishte qarkulluar gati 400 mijë euro brenda muajit dhe tashmë po dëshmohet se kjo gjë ka ndodhur. Apo të flasim për skemën kriminale kur e ke një person që ka pushtet absolut në sektorin e energjetikës, Dejona Mihali që nuk ka kurrëfarë posti, pastaj është Martin Berishajt, paret e GEN-i të Serbisë”, ka thënë kryetari i PDK-së.