Lajme

Krasniqi fton bashkëatdhetarët të votojnë në zgjedhjet pë Parlamentin Evropian

By GAZETA SCANNER 1

June 05, 2024

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka ftuar bashkëatdhetarët që jetojnë në shtetet e BE-së, që në zgjedhjet për Parlamentin Evropian t’i mbështesin partitë simotra të PDK-së, shkruan Scanner.

“PDK është anëtare e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës – ALDE dhe duke e ditur që partitë anëtare të familjes sonë politike gjithmonë kanë qenë në përkrahje të plotë të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, unë ju ftoj që në këto zgjedhje t’i mbështesni partitë tona simotra masivisht me votën tuaj”, shkruan Krasniqi.

Postimi i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë që jetoni në shtete anëtare të Bashkimit Evropian,

Siç e dini, nga 6 deri më 9 qershor mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

E kemi thënë disa herë se këto janë zgjedhje tepër të rëndësishme që do t’a përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e Bashkimit Evropian, por edhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.

PDK është anëtare e Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve të Evropës – ALDE dhe duke e ditur që partitë anëtare të familjes sonë politike gjithmonë kanë qenë në përkrahje të plotë të lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës, unë ju ftoj që në këto zgjedhje t’i mbështesni partitë tona simotra masivisht me votën tuaj.

Dilni dhe votoni. Votoni për një Evropë të sigurt që i ofron Kosovës një perspektivë të qartë për integrim.

Faleminderit për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!