Ballina

Krasniqi: Ballkani Perëndimor kërkon partneritet të sinqertë me BE-në

By GAZETA SCANNER 1

September 21, 2024

Partia Demokratike e Kosovës, në bashkëpunim me “Institute of European Democrats” nga Brukseli, ka organizuar seminarin ndërkombëtar me temën “BE – Ballkani Perëndimor: Çka pas zgjedhjeve evropiane?”, për të diskutuar marrëdhëniet mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së pas zgjedhjeve të fundit në BE dhe krijimit të institucioneve të reja të Bashkimit Evropian dhe për të shqyrtuar mundësitë që paraqet ky momentum në procesin e afrimit e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Seminari, që po mbahet në Prizren, ka bërë bashkë politikanë dhe anëtarë të shoqërisë civile nga rajoni dhe Evropa, të cilët kanë sjellë ekspertizën e tyre në këtë debat të rëndësishëm për të dy palët.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në hapje të këtij seminaritha se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian e gjejnë veten në një moment kyç, kur vendimet e marra nga institucionet e BE-së si dhe nga qeveritë e rajonit, do të jenë vendimtare për drejtimin kah do të shkojë Ballkani Perëndimor për gjenerata me radhë.

“Ne jemi në një moment kyç, ku vendimet e institucioneve evropiane, por edhe të vetë qeverive tona, do të formësojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor për brezat që do të vijnë”, tha ai.

Krasniqi u bëri thirrje institucioneve evropiane që t’i kushtojnë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton.

“Rajoni ynë ka pritur mjaft gjatë në margjinat e procesit të vendimmarrjes në Evropë. Ka ardhur koha që Bashkimi Evropian t’i japë prioritet integrimit tonë, duke pranuar se stabiliteti dhe prosperiteti i ardhshëm i Evropës është i pandashëm nga e ardhmja e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i “Institute of European Democrats”, Mikel Burzako nga Spanja në fjalën e tij hyrëse, theksoi që zhvillimet dramatike në kontinentin e Evropës, si agresioni rus në Ukrainë, kanë treguar sa i rëndësishëm është integrimi i të gjitha vendeve evropiane në BE dhe sa e rrezikshme është vonesa e BE-së në afrimin e vendeve si shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe ka bërë thirrje që të dyja palët të punojnë që të afrohen sa më shpejtë.

Seminari ka vazhduar me panele në të cilën pjesëmarrësit nga rajoni dhe BE-ja kanë diskutuar për atë se çfarë ndryshime për Ballkanin Perëndimor sjellin ndryshimet në institucionet e BE-së, çfarë janë mësimet e mësuara nga procesi i deritashëm i afrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe çfarë duhet të bëjnë këto vende, por edhe BE-ja, që ky proces të shpejtohet dhe të përmbyllet me sukses.

Pjesë e paneleve diskutuese ishin edhe Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe anëtari i kryesisë, Bernard Nikaj.