Lajme

Kosova dhe Maqedonia e Veriut realizojnë ushtrim të përbashkët ndërkufitar

Policia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut kanë realizuar të enjten disa ushtrime të përbashkëta ndërkufitare.

Në pikën kufitare në mes të këtyre dy vendeve në Glloboqicë është realizuar aksioni i përbashkët “Potera-ndjekja”, me qëllim të parandalimit të krimit kufitar, për ndjekje ndërkufitare.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë besim në njëra-tjetrën në gjitha aspektet si dhe në rend dhe ligj.

“Rendin dhe ligjin do ta ruajmë bashkë dhe kriminelët dhe rreziqet do t’i përballim bashkë. Ne i gëzohemi sukseseve të Maqedonisë së Veriut, suksesit drejt NATO-s. Edhe ne i kemi aspiratat tona si Kosovë”, ka thënë Haradinaj, i cili ka pasur edhe një porosi.

“Porosia e dytë është që në rast të liberalizimit të vizave për Kosovën, kjo do të thotë se kufijtë janë të sigurt dhe kriminelët nuk mund të lëvizin lirshëm. Qytetarët duhet me pas të drejtën për lëvizje të lirë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut është shprehur i kënaqur me realizimin e këtij ushtrimi taktik.

“Dëshmuan se të dy policitë treguan gatishmëri të lartë në ndjekje të kriminalitetit ndërkufitar. Kështu e garantojmë stabilitetin e dy shteteve. Ne dëshmuam se jemi shumë të përgatitur dhe jemi faktor stabiliteti në këtë rajon. Nëse dëshirojmë të kemi zhvillim të vlerave demokratike të vendeve tona duhet t’i zbatojmë të gjitha ato vlerat dhe të drejtat e gjithë qytetarëve. Ky ushtrim e dëshmoi profesionalizëm dhe ky është prioritet i yni i përbashkët”, ka thënë Spasovski.