Ballina

Kosova shënon fitore të thellë ndaj Qipros

By GAZETA SCANNER 1

September 09, 2024

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të thellë në udhëtim te Qipro, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim tutje.

“Dardanët” ishin të jashtëzakonshëm, duke fituar me rezultat 0:4 pavarësisht që munguan yjet e suspenduar nga Franco Foda me FFK-në, si Edon Zhegrova, Aro Muric e Florent Muslija. Vlen të ceket se të gjithë e përcjellën Kosovën nga telefoni.

Kosova ishte më e mirë në të gjitha aspektet, me Donat Rrudhanin që mund të thuhet se ishte ylli i ndeshjes duke bërë një paraqitje mahnitëse.

Pas vetëm nëntë minutave, Rrudhani e fitoi një penallti pasi u faullua brenda zonës, të cilën e finalizoi në mënyrë perfekte Vedat Muriqi për të kaluar Kosovën në epërsi (9’).

Dyshja bashkëpunuan sërish. Rrudhani këtë herë harkoi te Muriqi, i cili me një goditje të saktë me kokë e dyfishoi epërsinë (21’).

Kosova kishte edhe disa mundësi shënimi, sidomos me anësorin e Sparta Pragës Ermal Krasniqi, i cili nuk shfrytëzoi dy raste të mira.

Për golin e tretë u përkujdes Albion Rrahmani, për të cilin ishte goli i parë në fanellën dardane. Qendërsulmuesi mori një asistim fantastik nga Milot Rashica dhe nuk e kishte aspak të lehtë ta dërgonte në portën e zbrazur (48’).

Vetëm shtatë minuta më vonë, i inkuadruari tjetër Lumbardh Dellova shënoi si të ishte sulmues. Me një goditje të qetë dhe precize, e la të shtangur portierin vendas për ta vulosur fitoren.

Përndryshe, te Kosova debutoi edhe talenti Eliot Bujupi, që mori ftesë nga ekipi A për herë të parë pas shkëlqimit te ekipi i të rinjve së Stuttgartit.

Me këtë fitore, Kosova ngjitet në pozitën e dytë në grupin 2 të Ligës C së Ligës të Kombeve, aq pikë sa kanë Rumania e Qipro, megjithatë rumunët kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.

Kosova përballjen e radhës e zhvillon në udhëtim te Lituania në muajin tetor, kurse pastaj e pret Qipron në “Fadil Vokrri”.