Ndonëse së fundi partnerët ndërkombëtarë paralajmëruan Qeverinë e Kosovës për ndaljen e veprimeve të pakoordinuara dhe të njëanshme, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ndihet i shqetësuar për një prishje të mundshme të marrëdhënieve.
Madje, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, Kurti deklaroi se “nuk beson” se ka ndonjë dëmtim të marrëdhënieve me shtetet aleate të Kosovës.
“Nuk besoj që ka kurfarë dëmtimi të marrëdhënieve, është e vërtetë që unë nuk ngjasoj me kryeministrat që kanë qenë në Republikën e Kosovës para meje, por unë besoj që marrëdheniet që ndërtojmë me SHBA-në janë më të fuqishme se kurrë, ne kemi bërë kontratën më të madhe ndonjëherë me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit – 236 milionë dollarë për bateritë për energjinë e ripërtëritshme, jemi duke blerë sistemet Javelins sepse dëshirojmë të forcojmë ushtrinë tonë, në çdo aspekt në tregti, energji, ekonomi, bashkëpunimi ynë me USAID..etj. Bashkëpunimi me SHBA-të është zgjeruar e thelluar, mospajtimet sporadike kurrë për vlera parime e qëllime, por nganjëherë për strategji e taktika e operacione bëhen lajme të mëdha. Besoj që SHBA kanë shumë arsye të jenë krenare me Republikën e Kosovës më shumë se asnjëherë më parë”, tha Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kujtojmë se zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë të fundit, konfirmoi se masat ndaj Kosovës mbeten në fuqi. Ai shprehu shqetësimin se mungesa e koordinimit të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë dhe lëvizjet e saj të pavarura në veri mund të shtojnë më tej këto masa.
“Masat [ndaj Kosovës] janë ende në fuqi sepse shtetet anëtare nuk kanë vendosur për të vepruar bazuar në raportin e Përfaqësuesit të Lartë që iu dorëzua atyre disa javë më parë, gjë që nuk është çudi sepse masat u vendosën në qershor të vitit të kaluar ndaj Qeverisë në Prishtinë për shkak se po ndodhnin shumë gjëra që çonin drejt eskalimit.
Në vend të hapave deeskalues, gjithnjë e më shumë hapa të njëanshëm dhe hapa që çojnë në eskalim janë ndërmarrë nga këta njerëz. Masat mbesin ende dhe theksuam në atë kohë që masat janë progresive. Mund të shtohen, mund të reduktohen varësisht nga zhvillimi i situatës”, deklaroi Stano.