Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka udhëtuar për në Bruksel për të nënshkruar një marrëveshje, e cila Kosovën e bën pjesë të koalicionit të deminimit, i cili funksionon në kuadër të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës.
Ai ka treguar se përveç trajnimeve në fushën e deminimit, Forca e Sigurisë së Kosovës(FSK) po përkrah përmes instruktorëve të saj rekrutët ukrainas në kuadër të Operacionit shumëkombësh Interflex në Mbretërinë e Bashkuar.
Maqedonci ka treguar se ndihma e Kosovës për Ukrainën është dhënë edhe përmes dy pakove mbështetëse ushtarake.
“Nga sheshi ‘Skënderbeu’, ku e festuam 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, u nisa për në Bruksel, ku do ta nënshkruajmë marrëveshjen e cila e bënë Republikën e Kosovës pjesë të koalicionit të deminimit, i cili funksionon në kuadër të Grupit të Kontaktit për Mbrojtje të Ukrainës. Përveç trajnimeve në fushën e deminimit, FSK po mbështet me instruktorët e saj programin e trajnimit taktik luftarak për rekrutët ukrainas në kuadër të Operacionit shumëkombësh Interflex në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu, Kosova deri më tani ka dërguar në Ukrainë dy pako mbështetëse ushtarake. 25 vite më parë nga sot, NATO hyri në Kosovë, e tani çdo ditë që kalon, Kosova është më afër hyrjes në NATO! Për siguri dhe për paqe, për republikën!”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.