9.1 C
New York
Thursday, March 28, 2024

Buy now

Kosova përfiton mbi 100 milionë euro nga BE-ja dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza

- Advertisement -

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, kanë nënshkruar sot marrëveshje financimi në vlerë prej mbi 100 milionë euro për zbatimin e projekteve për Trajtimin e Ujërave të Zeza dhe Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta me KfË-në dhe BE-në.

Sipas njoftimit, të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat ballafaqohet Kosova.

“Projekti i trajtimit të ujërave të zeza në rajonin e Prishtinës do të përfshijë ndërtimin e linjave të ujërave të zeza, si dhe rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe sistemit të ndarjes së ujërave të stuhive.  Projekti në fjalë do të plotësojë ndërtimin e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza që është financuar nga Qeveria Franceze, me ç’rast paraqesin investimin më të madh që është bërë në sektorin e ujërave të zeza në Kosovë. Për realizimin e këtij projekti, Qeveria Gjermane përmes KfË-së do të sigurojë në total 42 milionë euro, ndërsa BE-ja do të sigurojë rreth 20 milionë euro. Komuna e Prishtinës dhe ajo e Fushë Kosovës do të kontribuojnë me 9 dhe 2 milionë euro respektivisht”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Projekti për menaxhimin e mbeturinave të ngurta do të zbatohet në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Podujevës dhe Pejës dhe do të përfshijë ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e deponive dhe stacioneve të transferimit të mbeturinave të ngurta.

“Për këtë projekt, Qeveria Gjermane do të sigurojë 20 milionë euro, ndërsa BE-ja 23 milionë euro përmes fondeve IPA. Qeveria e Kosovës do të kontribuojë me 8 milionë euro dhe komuna e Pejës me 3 milionë, duke e bërë kontributin e përgjithshëm kombëtar 11 milionë euro”, sqaron Qeveria.

Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman në Kosovë Joern Rohde ka thënë se projektet “pasqyrojnë edhe më tej përkushtimin e vazhdueshëm të Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, me theks të veçantë në ruajtjen e burimeve ujore dhe ruajtjen e mjedisit”.

Ndërkaq, shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Staebek Madsen, ka thënë  se “përmes këtyre marrëveshjeve BE-ja së bashku me shtetet e saj anëtare, ka demonstruar edhe një herë përkushtimin e saj për të ndihmuar Kosovën të ndërtojë një ekonomi moderne dhe me resurse efikase”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran MUrati ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë me Gjermaninë dhe BE-në si partnerë kyç në avancimin e agjendës zhvillimore të Kosovës.

“Marrëveshjet e nënshkruara sot mundësojnë dy projekte shumë të rëndësishme, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës së qytetarëve të Kosovës duke avancuar vendin tonë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm. Agjenda e gjelbër mbetet prioritet i qeverisë sonë, trajtimi i ujërave të zeza dhe mbeturinat e ngurta janë fusha të rëndësishme që kërkojnë investime të konsiderueshme”, ka thënë Murati.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u shpreh se “Projektet që po nënshrkuajmë sot në fushën e ujërave dhe menaxhimit të mbeturinave jo vetëm që i kontribuojnë ruajtjes së ambientit, por edhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës”.

Ndërkaq, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se “Kosova është partner proaktiv dhe konstruktiv, dhe ky bashkëpunim i bazuar në vlerat e BE-së, do të mundësojnë përparimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kemi tranzicionin e duhur drejt ekonomisë së gjelbër dhe energjisë së ripërtëritshme”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit