Sport

Kosova interesohet për yllin e ri të Rijekës që përfaqëson Kroacinë, por ka origjinë nga Kosova

By GAZETA SCANNER 1

October 22, 2023

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) raportohet se ka shprehur interesim për Veldin Hodzën.

Sipas mediumit kroat, “Germanhijak.hr”, tashmë janë bërë kontaktet e para me lojtarin nga ana e shtëpisë së futbollit kosovar, si dhe përzgjedhësi, Primoz Gliha, shkruan Gazeta Express.

Kjo u konfirmua edhe nga agjenti i Hodzës, Danko Dikic, i cili deklaroi: “Mund të konfirmoj se kanë kontaktuar me Hodzën nga Kosova, por nuk mund të them asgjë më shumë se kaq”.

Mediumi kroat, që u bazua edhe në informatat e marrura nga disa burime kosovare, gjithashtu shkroi se krerët e FFK-së, bashkë me Glihan, mund të udhëtojnë drejt Kroaciës për të takuar mesfushorin dhe për të ndjekur nga afër një ndeshje të Rijekës, skuadrës ku ai aktivizohet.

Hodza është i lindur në Rijeka, por ka origjinë nga Kosova. Ai ka dalë nga akademia e klubit të Rijekës. Në vitin 2022 regjistroi debutimin me ekipin e parë, teksa tani vlerësohet si një nga futbollistët kryesorë te ky klub.

Ai ka regjistruar 16 paraqitje këtë sezon në të gjitha garat, teksa ka shënuar një gol.

Hodza kishte luajtur edhe ndaj skuadrës kosovare, Dukagjini, në dy ndeshjet e raundit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës.

21-vjeçari ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Kroacisë. Ai së fundmi ka regjistruar 12 paraqitje për Kroacinë U21, teksa ka shënuar ka dy gola.

Veldin Hodza

Mbetet të shihët nëse Kosova do t’ia del që të bindë Veldin Hodzën për të përfaqësuar “Dardanët”, gjithnjë nëse raportimi i mediumit kroat del të jetë i vërtetë.

Vlen të theksohet se Kombëtarja e Kosovës kohëve të fundit është përballur me probleme pikërisht në mesfushë.