Lajme

Kosova ende s’është në rend dite, Presidenca e Lihtenshtajnit: Po konsultohemi me të gjithë, agjenda finale më 17 maj

By GAZETA SCANNER 1

May 06, 2024

Ende nuk dihet nëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasbourg më 17 maj.

Gazeta Express ka pyetur presidencën e Lihtenshtajnit shtet kryesues, nëse jane duke zhvilluar konsultime për atë se a do të futet në agjendë anëtarësimi i Kosovës gjatë ministerialit të vendeve anëtare në Strasbourg.

“Në përgatitjet për Sesionin Ministror, ​​Lihtenshtajni është natyrisht në dialog të vazhdueshëm me të gjithë aktorët” ka thënë një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Lihetnshtajnit.

“Rendi i ditës do të miratohet përfundimisht nga Ministrat e Jashtëm më 17 maj dhe do të bëhet publike pas mbledhjes së bashku me të gjitha vendimet që do të marrin ministrat”, ka shtuar ky zyrtar.

Aktualisht ka një agjendë provizore që është publikuar ku anëtarësimi i Kosovës nuk është i përfshirë. Në rend dite është çështja e agresionit rus kundër Ukrainës, bashkëpunimi mes KiE dhe BE, transferi i Presidencës nga Lihtenshtajni te Lituania etj.

Lidhur me këtë çështje sot në zyrën e Kryeministrit kanë qëndruar ambasadorët e QUINT’it  të cilët sipas të gjitha gjasave kanë kërkuar që Qeveria ta procedojë draft-statutin e Asociacionit për votën pro.

Pas takimit Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim.

“Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29), thuhet në njoftimin për media.

Duke iu referuar Asociacionit” Kryeministri theksoi se neni 7 i Marrëveshjes Bazike nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit në Ohër dhe nuk duhet të vendoset si prioritet dhe në qendër” thekson më tej Qeveria.