Lajme

Kosova dhe Britania nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit bilateral të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se gjatë vizitës në Mbretërinë e Bashkuar, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes. Ai ka bërë të ditur se me homologun e tij në Britani, kanë rënë dakord për këtë marrëveshje, sipas tij, në të mirën e paqes, sigurisë dhe stabilitetit kudo në Botë.

“Sot, së bashku me Ministrin e Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, z.James Heappey nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes. Me këtë marrëveshje, dy ministritë, kemi rënë dakord për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, që mbulon fushat kryesore si: trajnime të përbashkëta, angazhime në operacione të përbashkëta dhe shkëmbim të praktikave më të mira.” shkroi Mehaj në një postim në Facebook.

Tutje ai shprehu mirënjohje dhe e falënderoi Mbretërinë e Bashkuar, për kontributin dhe mbështetjen e dhënë për vendin, qytetarët dhe ushtrinë.