Lajme

Kosova akuzon, SHBA-ja dhe BE-ja nuk e pranojnë se Serbia shkeli Marrëveshjen

By GAZETA SCANNER 1

May 25, 2023

Përderisa Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe të tjerë, përsërisin se Serbia i ka shkelur marrëveshjet e Brukselit/Ohrit, njëjtë nuk mendon emisari amerikan, Gabriel Escobar. Ai nuk e konsideron shkelje votimin e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës në KiE. Ndërkaq, BE-ja hesht kur pyetet rreth pretendimeve të Kosovës për shkelje të marrëveshjeve nga Serbia.

Kosova denoncon vazhdimisht Serbinë për shkelje të Marrëveshjes bazë për normalizim, që u plotësua me Planin e Zbatimit. Por, ankesat e Kosovës duket sikur nuk gjejnë përkrahje të ndërkombëtarëve.

Një nga ato që Kosova konsideron shkelje është votimi i Serbisë kundër aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Serbia e ka shkelur marrëveshjen edhe duke interferuar në zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.

“Serbia bëri dy shkelje të Marrëveshjes Bruksel-Ohër në më pak se 24 orë: ndërhyrje të jashtme në zgjedhjet në Kosovë (në kundërshtim me nenin 2), lobim dhe votim kundër aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (në kundërshtim me nenin 4). Marrëveshje e re, por e njëjta Serbi e vjetër”, ka shkruar Presidentja Osmani në prill, kur u mbajtën zgjedhjet dhe u votua në Këshillin e Evropës për aplikimin e Kosovës.

Osmani tha se u ka folur për shkeljet e marrëveshjes nga Serbia disa senatorëve amerikanë që këtë javë e vizituan Prishtinën.

Për çështjen e votimit në Këshillin e Evropës që është përmendur më shpesh si shkelje, në fillim të majit është pyetur edhe emisari special amerikan, Gabriel Escobar. Ai thotë se nuk është i sigurt që kjo të ketë qenë shkelje.

“E para, unë nuk jam i sigurt nëse ka qenë shkelje; është në dorë të Bashkimit Evropian, që është esencialisht një garantues i marrëveshjes. Tani, për shkak se procesi i zbatimit nuk ka qenë akoma i caktuar në kohën kur ndodhi votimi, nuk jam i sigurt nëse sekuencimi kërkonte që Serbia të mos bllokonte”, ka thënë Escobar.

Gazeta Express ka pyetur Zyrën për Media të Bashkimit Evropian rreth pretendimeve për shkelje të marrëveshjes, por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.

Por, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, është pyetur në një konferencë se a përbën shkelje të Marrëveshjes kundërshtimi i Serbisë që Kosova të anëtarësohet në KiE, e ai nuk ka thënë as po, as jo.

Ndërkaq, nga BE-ja, e kishin detektuar si shkelje, por atë nga ana e Kosovës, lirimin nga detyra e Ekipit Menaxhues, që përbehej nga katër serbë, pasi ai e paraqiti draft-Statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në Bruksel.

“Ekipi menaxhues propozoi dhe paraqiti draftin [statutin] e parë, që do të thotë se ka filluar procesin dhe jo se procesi ka përfunduar. Prandaj, vendimi për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues bie ndesh me tekstin dhe frymën e marrëveshjes”, kishte thënë Stano pas shkarkimit të Ekipit Menaxhues nga Kurti.

Kur Osmani ka akuzuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes, asaj i është kundërpërgjigjur zyrtari serb, Petar Petkoviq, që drejton një të ashtuquajtur “Zyrë për Kosovën”, përbrenda qeverisë së Serbisë. Sipas tij, shkelje e marrëveshjes është mosthemelimi i Asociacionit.

“Kur Osmani përmend shkeljet e Marrëveshjes së Brukselit, me siguri e ka fjalën për Bashkimin e Komunave Serbe. Obligimet e Prishtinës në raport me Asociacionin gjenden në gjashtë pikat e para të Marrëveshjes së Brukselit dhe deri më sot, 10 vjet më vonë, rezultati është zero”, kishte shkruar Petkoviq në Tëitter.

Ndryshe, Presidenti serb, menjëherë pas pranimit të Planit të Zbatimit të Marrëveshjes në Ohër, më 18 mars, ka thënë se Serbia nuk do ta respektojë pjesën e marrëveshjes ku thuhet se ajo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian në prill ka njoftuar se është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

“Detyra e Komisionit të përbashkët është që të mbikëqyrë implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e implementimit të saj. Ky është rezultat konkret dhe implementim konkret i asaj që ishte arritur para 30 ditësh, në takimin e nivelit të lartë, mes presidentit të Serbisë, Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Kurti“, ka thënë Stano gjatë njoftimit.

Sipas BE-së, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së.

Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.