Shëndeti

Kontraceptivët me efekte anësore, thotë hulumtimi i ri

Kontraceptivët hormonalë mund të sjellin si efekt anësor depresionin.

Ky është lajmërimi i ri mbi informacionet ilustruese në kutinë e medikamentit, pas një rivlerësimi të bërë në Europë mbi sigurinë e tyre.

Deklarata është bërë menjëherë edhe nga Agjencia Kombëtare Italiane Farmaceutike Aifa, shoqëruar edhe me letër porosi për të gjithë mjekët specialistë të sektorit.

Mungesë humori e theksuar apo depresion janë efektet anësore dhe të padëshiruara që janë vërejtur gjatë përdorimit të kontraceptivëve nga vajzat dhe gratë, të cilat i marrin për të evituar shtatzënitë e padëshiruara, apo edhe për shumë arsye të tjera, sipas rekomandimit të mjekut.

Depresioni mund të jetë një faktor mjaft i rëndë dhe shton mjaft rrezikun e lindjes së sjelljeve me tendencë vetëvrasëse shkruan TV Klan. Kështu që institucionet bëjnë thirrje që pacientet duhet të informohen dhe të kontaktojnë me mjekun e tyre nëse vërejnë ndryshime humori apo simptoma depresive, edhe nëse dallohen pas nisjes së trajtimit.

Ky lajmërim, theksojnë autoritetet europiane, vlen për të gjithë kontraceptivët hormonalë që janë në treg, si pilula, unazë vaginale, spirale apo implante që vendosen nën lëkurë.