Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pritur sot në takim shefen e zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey.
Në këtë takim u diskutua rreth angazhimit për fuqizimin e mëtejshëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Kosovë dhe bashkëpunimin me zyrën e KiE në Kosovë për këto qëllime të përbashkëta.
Kryeparlamentari Konjufca tha se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj vlerave dhe parimeve të Këshillit të Evropës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë këtu edhe përkushtimin për punë parlamentare sa më rezultative në këtë drejtim.
Po ashtu, kryetari Konjufca i uroi znj. Mary Ann Hennessey detyrën e saj të re si shefe e zyrës së KiE në Kosovë, duke qenë i bindur se së bashku do të rrisin edhe më tej bashkëpunimin dhe punën në drejtim të synimeve të përbashkëta.
Shefja e zyrës së KiE në Kosovë, Mary Ann Hennessey, e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmëri për të vazhduar punën e përbashkët për forcim të mëtejshëm të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.