Lajme

Kongresmeni Self pyet zyrtarin e DASH-it: Pse po kërkoni mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës?

By GAZETA SCANNER 1

July 02, 2023

Situata e tensionuar në veri, ka bërë që BE-ja dhe SHBA-ja të paralajmërojnë vendosje të sanksioneve ndaj Kosovës, për siç kanë thënë ata “mos ndërmarrjen e veprimeve për shtensionim të situatës”.

Madje sikurse BE-ja ashtu edhe SHBA-ja kanë kërkuar në katër komunat në veri të Kosovës të mbahen zgjedhje të reja.

E lidhur me këtë gjë, kongresmeni amerikan, Keith Self gjatë mbledhjes së Komitetit për Punë të Jashtme të DASH-it, ka pyetur se përse po kërkohet mbajtja e zgjedhjeve të reja, përderisa kryetarët janë zgjedhur në mënyrë të drejtë.

“Dhe kur një palë bojkoton zgjedhjet, zgjedhjet mbahen, mbahen siç duhet, dhe njerëzit që fitojnë zgjedhjet marrin detyrën, pse kërkoni zgjedhje të reja?”, pyeti krongesmeni Self.

Pas kësaj, u përgjigj zyrtari i DASH-it, Douglas D. Jones i cili tha se plani përfshirë zgjedhjet e reja, i referohej zgjedhjeve në Kosovë të cilat u bojkotuan nga serbët e Kosovës, shkruan Telegrafi.

“Pra, ne kemi pranuar që kryetarët e komunave që janë zgjedhur janë zgjedhur me zgjedhje të duhura. Megjithatë, ata nuk kanë mundur t’i kryejnë plotësisht detyrat e tyre dhe në fakt përpjekja e tyre për t’u zhvendosur në ndërtesat e zyrave të tyre komunale është ajo që ka çuar në dhunë”, ishte përgjigja Jones.

Kongresmeni Self vazhdoi tutje me pyetje duke thënë se kryetarët e komunave të zgjedhur, po përpiqen të bëjnë detyrën e tyre, të zhvendosen në ndërtesat e zyrave, dhe ne po e mbështesim një ribërje në vend të mbështetjes së këtyre kryetarëve të zgjedhur siç duhet. Pse është ajo?

Zyrtari i DASH-it, Douglas D. Jones iu përgjigj se këta kryetarë për shkak të bojkotit janë zgjedhur me një përqindje të ulët.

Kongresmeni tha se kjo ndodh çdo ditë në Amerikë.

“Problemi i vërtetë që unë shoh është se Departamenti i Shtetit po përpiqet ta tërheqë Serbinë nga orbita ruse, ju po ndërhyni në zgjedhjet që u mbajtën siç duhet, po ndërhyni me njerëzit që janë zgjedhur siç duhet në përpjekje për të futur veten tuaj në një mijëvjeçarë të vjetër dhe ju po prishni një proces zgjedhor të ekzekutuar siç duhet. Ju nuk do ta nxirrni Serbinë nga orbita ruse”, shprehet kongresmeni Self.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.