Lajme

Kompania e zyrtarit të LDK-së në Prishtinë, fituese e menaxhimit të pishinës së Gërmisë

By GAZETA SCANNER 1

May 28, 2024

Është njëri ndër asetet më të frekuentuara të parkut nacional të Gërmisë e njëheri, edhe pishina e vetme publike.

Por, Komuna e Prishtinës përmes ndërmarrjes “Sport Marketing”, ka vendosur që këtë vit t’ia jap në menaxhim një kompanie private.

Pos, biletave, ofertuesi ekonomik do të ketë në menaxhim edhe restorantin e kafiteri brenda pishinës.

E pas vetëm 12 ditësh sa ishte e hapur oferta, fitues për bashkë-menaxhim të pishinës së Gërmisë, është shpallur  kafiteria “DELICE Caffe”.

E vetmja ofertuese në këtë thirrje, kjo kafieteri, sipas të dhënave në ARBK figuron në pronësi të Shpend Avdilit, që është sekretar i degës së III të LDK-së në Prishtinës.

Ndonëse televizioni është përpjekur të kontaktoj me Avdylin, i njëjti ka qenë i paqasshëm në telefon.

Për ndërmarrjen e cila hapi thirrjen, nuk qe e pazakontë forma e ecurisë së procesit dhe as përzgjedhja e operatorit.”

“Shpallja ka qenë e hapur dhe e publikuar në web të ndërmarrjes sport marketing dhe në gazetën zyrtare Bota Sot, të drejtë aplikimi kanë pasur të gjithë operatorët ekonomik që kanë plotësuar kushtet e parapara nga NPL mirëpo i interesuar ka qenë vetëm 1 operator ekonomik  e që nuk është hera e parë. Fituesi zgjidhet duke u bazuar në ligjin për ndërmarrjet publike dhe rregulloret . Hapja e ofertave ka qenë transparente, thirrja ka qenë që të jenë prezent operatorët ekonomik në hapje të ofertave në shpallje është e cekur data dhe ora e hapjes. Po ashtu ja vlen të ceket se hapësirat sikurse amfiteatri, fusha e sportit, dhe terrenet sportive dhe ato të tenisit vazhdojnë te menaxhohen nga ndërmarrja për aktivitete të saja, për të cilat edhe inkason të hyra shtesë. Po ashtu, shkolla e notit do të jetë në menaxhim të ndërmarrjes ashtu siç ka qenë në të kaluarën. Ndërsa Operatori Ekonomik për çdo event të cilin e organizon, e ka te paraparë të lajmërojë ndërmarrjen dhe të funksionoj ashtu siç e parasheh rregullorja e ndërmarrjes në fuqi! Kjo quhet bashkë-menaxhim, dhe është në të mirën e të gjithëve”, ka thënë Artina Canolli, u.d. e kryeshefes  në “Sport Marketing”.

Por, dyshime që para se të shpallej fituesi, patën asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Petrit Reçica, thotë se nuk qëndron arsyetimi se ndërmarrja ka probleme financiare derisa hedh dyshime mbi vet procesin.

“Forma se si e kanë bërë thirrjen është tejet e msheftë, veç një publikim edhe ata veç pse duhet ligjërisht se nuk e kishin bo. Sa mujta me kuptu, ka apliku vetëm një operator ekonomik. Problemi është shumë më i madh sepse kanë thënë që si shkak i problemit të të hyrave që nuk është e vërtet, se asnjëherë më shumë se vitin e kalun nuk kanë pasë”, ka thënë Reçica.