Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani është takuar sot në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, me të cilën shkëmbyen mendime për situatën aktuale dhe për bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë, njoftojnë nga KFOR-i.
Bëhet e ditur se Barduani përsëriti përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një Kosovë paqësore dhe stabile nëpërmjet zbatimit të mandatit të tij të OKB-së. Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mirë të KFOR-it me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt, “në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal”.
Komandanti i KFOR-it tutje vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me BE-në në terren, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.