Lajme

Komandanti i KFOR-it: Kam takime edhe me shefin e Shtabit te Forcave të Armatosura Serbe

By GAZETA SCANNER 1

February 20, 2024

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, ka thënë se ka komunikim të rregullt me të gjithë akterët përkatës vendor dhe ndërkombëtar. Madje, Ulutas tha se komunikon rregullisht edhe me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe.

“Koordinimi i bazuar në besim”, janë prioritetet e këtyre komunikimeve ka bërë të ditur Ulutas.

“E kam bërë prioritet timin nxitjen e komunikimit dhe koordinimit te bazuar në besim. KFOR-i komunikon rregullisht dhe ne mënyre transparente me të gjithë aktorët ndërkombëtarë dhe vendor. Si Komandant i KFOR-it, kam takime me shume bashkëbisedues, përshirë përfaqësuesit e Institucioneve në Kosovë dhe organizatat e sigurisë se Kosovës, Shefin e Shtabit te Forcave të Armatosura Serbe, Shefin e misionit te BE-se për Sundim te Ligjit (EULEX), dhe përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim ne Evropë (OSBE) dhe komunitetin diplomatik”, deklapo Ulutas në një intervistë në RTV Dukagjini.

Në kontekst të mundësisë për eskalim të situatës në veri, Ulutas deklaroi se “po e monitorojmë ngushtë çdo zhvillim relevant të sigurisë në rajon”.

“Nuk do të spekuloj për ndonjë skenar të ardhshëm. Po e monitorojmë ngushtë çdo zhvillim relevant të sigurisë në rajon. KFOR-i mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, të ofrojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, ka shtuar më tej Ulutas.