Lajme

Koha kur Vetëvendosje publikonte kontrata sekrete të qeverisë

Më 16 maj të vitit 2011, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje me shefin e deputetëve të këtij subjekti dalin para gazetarëve me një dokument të rëndësishëm në dorë.

Opozitarët Albin Kurti e Visar Ymeri, pretendojnë se e kanë siguruar kopjen e kontratës së fshehtë, të nënshkruar nga qeveria dhe konsorciumi Bechtel Enka, për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdarë.

Dy krerët e Vetëvendosjes asokohe kërkonin nga ekzekutivi i udhëhequr nga Hashim Thaçi, që kontratat qeveritare të mos mbahen sekrete.

“Duam që qytetarët e Kosovës të jenë në dijeni të asaj se çfarë po bënë Qeveria me paratë e qytetarëve”, kishte thënë Kurti.

Këta madje kishin aktivizuar ekonomistët e partisë që ta analizojnë kontratën.

Shpend Ahmeti, që tash nuk është më në Vetëvendosje, po e kritikon presionin që po bëhet ndaj portalit Insajderi, që raportoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk e ka nënshkruar kontratën për furnizim me vaksinën anti-COVID, Pfizer, duke publikuar kështu disa komunikime të ashtuquajtura konfidenciale, e për të cilat hapi rast prokuroria.

“Kur askush nuk e dinte se çka përmban kontrata e autostradës me Bechtel Enka, dikush e ka dorëzuar në mënyrë anonime kopjen e kontratës. Përkundër rreziqeve e rrethanave në një konferencë për media të Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi dhe unë kemi publikuar atë kontratë, të cilësuar si fshehtësi zyrtare”, shkroi Ahmeti në Facebook.

Një gjë të tillë e pranon edhe ish-anëtari i VV-së, Dardan Sejdiu, që thotë se këto veprime bëhen për interes të publikut.

“Kemi publikuar kontratën e Qeverisë Thaçi me Bechtel Enka, kemi luftuar privatizimin e KEDS dhe kemi publikuar fakte e dokumente, kam iniciuar interpelanca e hetime për kontratën me Contour Global! Në krejt këto raste kam pas informacione nga zyrtar të ndryshëm shtetëror të cilët kanë qenë të bindur sikur unë e shumë të tjerë që duhet mbrojtur interesin publik!”, tha Sejdiu.

Zyrtarë qeveritarë e partiakë të Vetëvendosjes, të premten dhe të shtunën akuzuan mediat për shpërndarje të informacioneve konfidenciale që sipas tyre, pengojnë procesin e sigurimit të kurës anti-COVID.

Video: KËTU