Sport

Koeman flet për marrëdhëniet me Messin

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, ka këmbëngulur se mes tij dhe kapitenit Lionel Messi nuk ka asnjë konflikt, pas vendimit të legjendës së klubit për ta ndërruar mendjen dhe për të qëndruar në Camp Nou.

Messi e njoftoi Barcelonën se dëshironte të largohej nga klubi pas sezonit 2019/20, i cili ishte tejet zhgënjyes dhe dëshpërues për të pasi Barça dështoi ta fitojë qoftë një trofe të vetëm dhe u turpërua 8:2 nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve, transmeton GE.

Megjithatë, 33-vjeçari e ndryshoi mendjen dhe vendosi të qëndrojë në fund të fundit, në mënyrë që ta shmangë betejën ligjore me klubin që e dashuron.

Messi është rikthyer në stërvitje për t’u përgatitur për sezonin e ri, i cili është i fundit në marrëveshjen e tij të tanishme me klubin. Prandaj e ardhmja e argjentinasit është në dyshim.

Koeman, i cili u soll në Camp Nou për ta zëvendësuar Quique Setienin pas disfatës kundër Bayernit, ka thënë se çfarëdo konflikti që ekziston është mes lojtarit dhe klubit dhe se ai dhe Messi kanë folur shpesh herë që prej se argjentinasi vendosi të qëndrojë në Camp Nou.

“Ai ishte një konflikt mes Messit dhe klubit. Kam folur me Messin që prej atëherë dhe ne do të vazhdojmë si zakonisht”, tha Koeman për Fox Sports.

“Po punojmë për sezonin e ri dhe them se do ta bëjmë me këtë grup lojtarësh me të cilin jemi duke u përgatitur”, nënvizoi ai.