Sport

Koeman e konfirmon se Depay do t’i bashkohet Barcelonës

Ronald Koeman e ka pranuar se Memphis Depay do t’i bashkohet atij në Barcelonë, por ka nënvizuar se për të ndodhur kjo, klubi duhet të shesë futbollistë së pari.

Për Depay është përfolur vazhdimisht kohëve të fundit se do të ribashkohet me ish-trajnerin e vet në Kombëtaren e Holandës, Koeman, në Barçë, pasi shkëlqeu për Lyonin në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, transmeton GE.

Por, presidenti i Lyonit, Kean-Michel Aulas, tha në fillim të kësaj jave se Barcelona nuk mund ta përballojë blerjen e Depay për shkak të krizës financiare të shkaktuar nga koronavirusi.

Koeman, i cili e zëvendësoi Quique Setienin në postin e trajnerit të Barçës, u pyet për ish-yllin e Manchester Unitedit Depay pas lajmeve se ai do të kalojë në Camp Nou për 25 milionë euro.

“Në mënyrë që Depay të vijë, ne duhet të shesim fillimisht”, tha Koeman për Fox Sports.

Koeman pret ta nisë sezonin në La Liga pa përforcimet e mundshme, megjithatë: “Po punojmë për sezonin e ri dhe mendoj se do ta nisim atë me grupin e njëjtë të lojtarëve që i kemi tani”.

Barcelona do ta nisë sezonin e ri 2020/21 në La Ligë në nikoqire e Villarealit të Unai Emery më 26 shtator.