Lajme

Koalicioni LV-LDK, as sot s’ka takim Kurti-Mustafa

Edhe pse është paralajmëruar se do të ketë takime të shpeshta në mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa për mundësinë e koalicionit bashkëqeverisës, ata nuk janë takuar dje dhe nuk do të takohen as sot.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se nuk është planifikuar ndonjë takim për sot në mes LV-së dhe LDK-së.

“Me informacionet që kemi nga strukturat e Lëvizjes nuk është planifikuar ndonjë takim për sot”, ka shkruar Manxhuka.

Ndërkohë, brenda LDK-së është bërë më dije se sot në orën 16:00, kryetari i këtij subjekti Isa Mustafa ka thirrur në takim kryetarët e degëve, ku temë diskutimi pritet të jenë zhvillimet e fundit politike me theks të veçantë bisedimet për marrëveshjen bashkëqeverisës me LV-në.