OPINIONE

Koalicioni i ‘’Shpresës’’

Shkruan: Jeton Rrakaqi

Jam i bindur tanimë se edhe ata qytetarë që votuan për ndryshim janë të zhgënjyer me zgjedhjen e tyre. Në këtë periudhë kur pritet që vendi të udhëhiqet nga të zgjedhurit e 6 tetorit, qytetarët janë duke vuajtur duke pritur preferencat personale të trashëgimtareve të komunizmit dhe amatorëve (partia e rrugës) për postet shtetërore.

Siç mund të shihet tani, të dy partitë lakmitare para zgjedhjeve kanë shitur moral dhe patriotizëm qytetarëve të dërmuar, pas zgjedhje secila veç e veç e tregoi fytyrën e vërtetë duke e fshehur pas programeve politike që si zakonisht i kanë sa për sy e faqe. Lufta mes dy partive është duke u zhvilluar vetëm për poste shtetërore dhe vetëm në dëm të qytetarëve të këtij vendi.

Ndoshta partia e ‘’akademikeve dhe profesorëve’’ dhe partia e rrugës sikurse e kanë nënvlerësuar dhe e kanë fyer intelektin e çdo qytetari të këtij vendi në njërën duke iu treguar se çka mund të bëjnë ata ndërsa në anën tjetër duke ndjekur interesin personal vetëm për poste shtetërore dhe pushtet, ndoshta këto duhet të dijnë se edhe pushteti është i rregulluar skajshmërisht me ligj dhe nuk mund ti mashtrojnë qytetarët se mund të jenë ndryshimi i vetëm duke bërë pamje jo serioze në sy të tyre për ndarjen e pushtetit dhe kalkulime për interesat partiake në kurriz të qytetarëve.

Qytetarët nuk besojë se do ti harrojnë formulat e ardhjes në pushtet të këtyre dy partive, përmes viktimizimit dhe patriotizmit, duke sharë e ofenduar oponentët politik, duke i sulmuar institucionet, duke proklamuar idenë e bashkimit kombëtar, duke mos i dhënë rëndësi interesit parësor qytetar. Jam i bindur se këto do të jenë zhgënjim i madh për të gjithë ata që kanë pritur ndryshim.

Kjo situatë të jep përshtypjen se koalicioni i ‘’shpresës’’ është një mashtrim qytetar, duke i parë haptas egot e pa ngopura për pushtet secila nga këto kalkulon se çka do të marrë për tu hakmarrë ndaj njerëzve të këtij vendi që më vite i kanë shërbyer këtij vendi. Ata nuk do të mendojnë për interesin qytetar, as për të punësuarit e sektorit publik, as ata të sektorit privat, ata do të jenë vetëm mashtrim dhe zhgënjim pë qytetarët e këtij vendi. Dhe e gjitha kjo do të rezultojë me ikjen masive të qytetarëve nga vendi i tyre në pamundësi për të përballuar ndryshimin e madh që do tia bëjë njeriu me tre këmbë dhe Mr. Bean.

(Autori është shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Suharekë)