Lajmest-slider

Koalicioni i shpresës apo lojë politike!

Më shumë se dy muaj kanë kaluar që nga përfundimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë.

Edhepse tashmë fituesit dihen edhe janë zotuar për një qeverisje të përbashkët, vendi vazhdon të qeveriset nga opozita e 6 tetorit!

Pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili atë kohë tha se po jep dorëheqje me arsyen se është thirrur nga Gjykata Speciale dhe nuk don të shkojë si kryeministër, doli se nuk ishte edhe ashtu.

Taksa 100 për qind që e vuri nën presion ndërkombëtar, e me të cilën u mburr, gjatë gjithë kohës dhe e kishte moto të fushatës, doli që ishte shkaku që dha dorëheqje.

U tentua që të bëhet një koalicion parazgjedhor mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, por  nuk u pa një gatishmëri nga LDK.

Sidoqoftë, zgjedhjet e 6 tetorit, pas një procesi të numërimit mes ankesave dhe kundërshtimeve, LV u shpall fituese me 29 deputetë, kurse partia e dytë Lidhja Demokratike e Kosovës me 28 deputetë.

Rrjedhimisht, LV, si parti fituese i bie barra e krijimit të Qeverisë.

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas certifikimit të rezultatit nga KQZ,  thanë se janë pajtuar për 100 për qind të programit qeverisës dhe se marrëveshja finale për koalicionin e qeverisjes në Kosovë pritet të nënshkruhet. Albin Kurti tha se 72 orë pas certifikimit vendi do të ketë Qeverinë.

Qytetarët dhe i tërë publiku u përgatit për një Qeveri të ndryshimit, siç u mëtua të quhet, por kur u duk se gjjithçka është OK, filluan mospajtimet.

LV, që njihet për kundërshtime të mëdha të qeverive të kaluara, kur doli e para filloi t’i ulë standardet.

Zyrtarë të kësaj partie kishin deklaruar se do të përqendroheshin në sistemin e drejtësisë, për të vënë në jetësim kauzat që i kishin mbështetur me vite të tëra. Por, kjo nuk ndodhi! LV lëshoi pe me të parën, kur Isa Mustafa i LDK ju tha se LDK e don Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kurti pranoi!

Dhe kur u mendua që u ndan postet, LDK doli me opsionin e ri: kërkonin Presidentin, Kryeparlamentarin dhe 4 ministri.

Edhepse presidenti aktual Hashim Thaçi, ka mandat deri në fillim të vitit 2021, LDK kërkon garancë që, kur të vijë koha, ajo pozitë të jetë e ruajtur për të, duke kërkuar votat bllanko të LV.

Plani B, zgjedhjet e reja

LV ka hezituar deri më tani të jap këtë pozitë për LDK, duke thënë se për këtë pozitë nuk është diskutuar para zgjedhjeve. Por, derisa LV po heziton, LDK mbetet e betonuar se nuk do të lëshojë pe, në të kundërtën shkojnë në opozitë.

Vetëvendosje, në anën tjetër, ka qenë e qartë se nëse ska koalicion me LDK do të shkohet në zgjedhje, duke besuar kështu se do të arrijë të fitojë edhe më shumë vota.

Por, a ka luks vendi edhe për një palë zgjedhje të reja?! Analistë politikë dhe ekonomistë të ndryshëm kanë bërë thirrje se nëse nuk do të ketë marrëveshje, Kosova, përveçse do të hynte në një krizë intitucionale, do të kishte edhe shumë probeme tjera.

Po ashtu, ata besojnë se kjo do ta dëmtonte ekonominë e vendit dhe potencialisht do të nxiste një migrim të ri.

Ndërkohë, edhe pse kemi “një ftohje të raporteve” ndërmjet këtyre dy partive, në paraqitje publike, brenda kësaj shihet një lojë politike me publikun.

Koalicioni i shpresës do të bëhet, por deri në seancën konstituive, që është caktuar me 26 dhjetor, loja politike do të bëhet lojë nervash…/gazetaScanner/