Sport

Klubi francez hyn në garë për Muriqin

Pas klubeve angleze dhe atyre italiane, sulmuesin e rrezikshëm kosovar e duan edhe në Francë, klubi Rennes, i cili sezonin e ardhshëm do të luajë në Champions League

Vedat Muriqi është futbollisti shqiptar më i përfolur në tregun e futbollit evropian.

Paraqitjet mbresëlënëse në kampionatin turk por edhe me Përfaqësuesen e Kosovës u kanë rënë në sy klubeve evropiane.

26 vjeçari është bërë objektiv i shumë skuadrave të njohura.

Ndërkaq, mediumi turk “NTV Spor” raporton se përfaqësuesit kosovar së fundmi ia ka vënë syrin edhe Rennesi në Francë, përcjell Gazeta Express.

Klubi nga Ligue 1 e ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe dëshiron të përforcohet për sezonin e ardhshëm.

Klubi francez mund t’i sigurojë shërbimet e prizrenasit nëse ia paguan Fenerbahçes 20 milionë euro.

Gjithashtu, interesim për Muriqin kanë shfaqur edhe klubet angleze si Tottenham, Manchester United, Leicester City, Newcastle United, Leeds United, West Bromwich Albion, Burnley e Brighton.

Ish-futbollistin e Rizesporit e pëlqejnë edhe Lazio e Napoli në Itali.

Muriqi i ka realizuar 15 gola deri tash këtë sezon me ekipin nga Stambolli.

Ai ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2023, por sipas të gjitha gjasave do të largohet nga kryeqyteti turk gjatë verës që vjen.