Sport

Klopp u dërgon tifozëve të Liverpoolit letër të hapur

Jurgen Klopp u ka bërë thirrje tifozëve të Liverpoolit të veprojnë drejt, pasi një numër i madh i tyre u mblodhën për të festuar në Pier Head menjëherë pasi klubi i tyre e fitoi titullin e parë në Premierligë. Andy Cooke, shefi i Policisë në Merseyside, njoftoi se 15 persona u arrestuan të premten mbrëma dhe se oficerët policorë u ballafaquan me një numër personash të dhunshëm në Pier Head, ku tifozët e Liverpoolit ishin mbledhur në numër të madh për ta festuar titullin e parë në ligë pas 30 vjetëve.

Në një komunikatë të përbashkët, policia, klubi, këshilli i qytetit dhe grupi i tifozëve e quajtën të papranueshëm tubimin e së premtes. Klopp u ka shkruar letër të hapur tifozëve të të kuqve të hënën, duke i falënderuar për përkrahjen, duke nënvizuar: “Ky është momenti jonë”, por u bëri thirrje atyre të festojnë në mënyrë të sigurt dhe privatisht. “Unë jam qenie njerëzore dhe pasioni juaj është edhe pasioni im, por në këtë kohë gjëja më e rëndësishme është të mos kemi tubime të tilla publike. Por e kemi me borxh ndaj personave më të cenueshëm në komunitetin tonë, ndaj punonjësve shëndetësorë të cilën kanë dhënë aq shumë dhe të cilët i kemi duartrokitur dhe ndaj policisë e autoriteteve lokale të cilët na ndihmojnë neve si klub, të mos e bëjmë këtë”, shkroi Klopp.

“Ju lutem – festoni – por festoni në mënyrë të sigurt dhe në vendet tuaja private, sepse kështu nuk rrezikojmë ta shpërndajmë edhe më shumë në komunitetin tonë këtë sëmundje të tmerrshme”, shkroi ai.