Sport

Klopp për ndeshjet e orës 13:30: Krim, prisja që Amnesty International të hetonte TNT Sports

By GAZETA SCANNER 1

May 03, 2024

Jurgen Klopp ka nisur një sulm ndaj ndërhyrjes së TNT Sports në orarin e ndeshjeve, duke e quajtur orarin e fundit të skuadrës së tij një “krim të denjë për hetim nga Amnesty International”.

Klopp ka qenë një kritik prej kohësh i orarit 13:30 (12:30 sipas kohës lokale) pasdite të shtunave, veçanërisht për ato skuadra me angazhime në UEFA dhe një mbingarkesë të ndeshjeve në mesjavë. Ai ka thënë se transmetuesit televizivë janë pjesërisht përgjegjës për dështimin e klubeve angleze në garat evropiane këtë sezon.

Menaxheri i Liverpoolit ishte i matur pas ndeshjes kundër West Hamit (2-2) që u zhvillua në orën 13:30 fundjavën e kaluar, por ai nuk u përmbajt në konferencën e tij para ndeshjes të premten.

“Të shohësh që Aston Villa humbi 4-2 mbrëmë, për shembull, do të thotë që nëse ata vërtet mposhten (në ndeshjen e kthimit), asnjë skuadër angleze nuk është në asnjë lloj finaleje evropiane”, tha Klopp, raporton “Telegraph”.

“Unë shikoj shumë futboll në të gjithë botën. Premier League është liga më e mirë në botë. Pra, nuk është e mbivlerësuar. Lojtarët janë të mbingarkuar. Kaq e thjeshtë. Ju mund të flisni për këtë derisa të gjithë ta kuptojnë më në fund, por dikush duhet të ndihmojë njerëzit”.

Tutje, duke treguar për mbingarkesën që kanë ekipet, ai përmendi edhe faktin se nga sezoni i ardhshëm, Ligës së Kampionëve do t’i shtohen edhe tri ndeshje shtesë.

Klopp tha se pretendentët për titull në Premier League do të kishin përparuar në Evropë nëse nuk do ta kishin orarin aq të ngjeshur.

“Po, vendet e tjera kanë ekipe vërtet të mira, pa dyshim për këtë, por kjo është një shenjë. Vite më parë mendoj se kishim katër skuadra angleze në çerekfinale”.

“Gjithmonë mendoni se kur flas për këtë, kjo është për shkak të situatës sonë të fundit. Jo, është një problem i përgjithshëm. Nuk ka lidhje me orarin tonë tani. Orari ynë është i drejtë, është mirë. A mund ta përdorim atë? Nuk e di, do të shohim. Por që guxojnë të na caktojnë të enjten, të dielën, të mërkurën, të shtunën në ora 12.30 është krim. Në fakt prisja që Amnesty International të shkonte tek ata”, tha Klopp.