Liverpool raportohet se kontakoi me Xabi Alonso dhe i ofroi postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm. Bisedimet nisën menjëherë pasi tekniku i të kuqve Jurgen Klop u komunikoi drejtuesve se kishte vendosur që të largohej nga detyra pas 8 vitesh e gjysmë.
Pak javë më parë, gjermani me anë të një videomesazhi u tha tifozëve se kishte vendosur që të largohej nga “Anfield Road”, pasi po i shteronin energjitë. Kjo deklaratë e tij solli mjaft befasi e trishtim në klubin anglez, që nisi nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij. Sipas francezëve të “Foot Mercato”, te Liverpooli besojnë se do të bindin një nga figurat që ka qenë pjesë e historisë së skuadrës.
Xabi Alonso ka mbajtur veshur fanellën e të kuqve në vitet 2004-2009 dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Ligën e Kampioneve në 2005. Por në klub e dinë se nuk do të jetë e lehtë që të largojnë spanjollin nga Bayer Leverkusen, me ekipin që po zhvillon një sezon mjaft të mirë në Bundesligë.
Pas 20 takimesh në kampionat, ekipi kryeson me 2 pikë më shumë se sa Mynihu, ndërsa ka fituar 16 prej tyre. Drejtuesit gjermanë edhe pse e dinë për interesin e të kuqve, besojnë se trajneri nuk do të largohet, pasi po planifikon ekipin e sezonit të ardhshëm.