Lajme

Klinaku: Shqiptarët e kanë ruajtur ekuilibrin mes kombit dhe fesë

By GAZETA SCANNER 1

August 08, 2024

Kryetari i Demokracisë Konservatore, Abdullah Klinaku, tha se shqiptarët përgjatë historisë kanë ditur t’i ekuilibrojnë identitetet dhe përkatësitë, dhe si rrjedhojë e kësaj nuk ka pasur përplasje të identitetit fetar dhe atij kombëtar.

“Unë besoj se shqiptarët kanë arritur shumë mirë t’i ekuilibrojnë identitetet dhe përkatësitë, pra identitetin kombëtar, përkatësitë fetare dhe identitetet fetare, dhe në të njëjtën kohë t’i kontekstualizojnë vlerat fetare në raport me interesat kombëtare dhe besoj se rrënjet e këtij koncepti të ekuilibrit midis identiteteve dhe të kontekstualizimit të vlerave burojnë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kur Rilindësit kanë mbërritur me i ekuilibru këto identitete që mos me ra në përplasje, apo në konflikt me njëra-tjetrën”, tha Klinaku në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai tha se pikërisht ky ekuilibër mes identiteteve te shqiptarët ka bërë që të mos ketë përplasje mes religjioneve të ndryshme.

“Shqiptarët kanë arritur që në vazhdimësi të krijojnë edhe ambient paqësor midis të gjitha feve. Unë besoj se kushdo që tenton t’i prishë këto ekuilibra dhe të dekontekstualizoj vlerat tona të besimit jashtë interesave kombëtare bie ndesh me një historik tonin të cilin e kemi pasur dhe vazhdojmë me e kultivu”, tha Klinaku.