Lajme

Klan Kosova: MINT qëllimshëm po nxjerr dokumente jovalide nga historiati

By GAZETA SCANNER 1

July 31, 2023

Mediumi i Klan Kosovës ka reaguar, pasi që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha që në dokumentacionin aktual të biznesit, Kosova paraqitet përsëri si pjesë e Serbisë.

Klan Kosova thotë që MINT qëllimshëm po mbulon dështimet e saj për të arsyetuar vendimin e kundërligjshëm.

“Fillimisht, MINT qëllimisht po informon në mënyrë selektive informata nga historiati i kompanisë, para se të bëheshin ndryshimet në dokumente, duke insistuar që adresa e pronarit të Klan Kosova është Serbia”, thotë mediumi.

Sipas Klan Kosovës, e vërteta është se më datë 20 qershor 2023, në çdo dokument të kompanisë qëndron vetëm Kosova dhe asnjë veprim i MINT-it.

“E vërteta është se me datë 20 qershor 2023 në çdo dokument të kompanisë qëndron vetëm Kosova dhe asnjë veprim i MINT pas këtij ndryshimi është pa bazë ligjore. Dy, MINT po bën shkelje ligjore edhe duke tentuar të interpretojë dokumente, jashtë fushëveprimit të saj, derisa çështjet e regjistrimit të bizneseve i takojnë Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Tre, MINT po vazhdon të bëjë shkelje ligjore duke tentuar t’i interpretojë edhe ligjet edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, derisa pushtetet sipas të njëjtës Kushtetutë janë të ndara, derisa ekzistojnë gjykatat përkatëse që e bëjnë këtë punë.

Katër, MINT edhe pse kur ka bërë shkeljen e fundit javën e kaluar me refuzimin e Ankesës së bërë nga Klan Kosova kishte udhëzuar që për hapat e mëtejshëm organ kompetent mbeten gjykatat, po vazhdon të lëshojë komunikata me argumente manipulative. Klan Kosova nuk do të ndalet në shpërfaqjen e së vërtetës dhe të gjitha shkeljet e MINT do t’i vërtetojë në gjykatë”, thuhet në reagimin e mediumit.