Lajme

Kjo është Rezoluta e opozitës për “skandalet” në KEK

By GAZETA SCANNER 1

October 24, 2024

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet nga ora 12:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të adresuar “skandalet” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

Kjo seancë është ftuar nga opozita.

Partitë opozitare kanë paraqitur edhe një Rezolutë përmes së cilës kërkojnë përgjegjësi nga Qeveria mbi zhvillimet e fundit në KEK.

Më poshtë, teksti i plotë i Rezolutës:

  1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente që të vazhdojë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keqmenaxhimin e tenderëve njëburimore dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht.
  2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.
  3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK.
  4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme.
  5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë së energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi performancën financiare dhe operacionale.
  6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes në KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qellim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes.
  7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës në ndërmarrje.

Kjo rezolutë hyn në fuqi menjëherë pas miratimit në Kuvendin e Kosovës.